Sport Mirënjohje për “Mjeshtrin e Sportit”, Ferman Haska

Mirënjohje për “Mjeshtrin e Sportit”, Ferman Haska

Është tepër e vështirë, të veçosh ish futbollistët e ekipit “Minatori”, pasi që të gjithë kanë dhënë maksimumin e tyre dhe janë bërë pjesë e historisë në futbollin tepelenas, por ai që u kthye në tmerr për ekipet kundërshtare, është futbollisti, Ferman Haska.

Fermani u lind më 13 Janar të vitit 1953, në Drithas të Korçës, me prindër po nga kjo trevë. Arsimin fillor dhe atë tetëvjeçar, e kreu në vendlindje.

Në vitin 1967, grumbullohet me pionierët e Korçës dhe e përfaqësojnë atë, në kampionatin e pionierëve që u zhvillua në Durrës. Në vitet 1967-69, luan me të rinjtë e ekipit “Skënderbeu” të Korçës. Talenti i tij, u spikat nga trajnerët e ekipit “Shpresa”, të Korçës dhe luajti si sulmues në kampionatin e viteve 1970-71, ndërsa me ekipin e parë të “Skënderbeut”, luajti vetëm fazën e dytë të kampionatit të viteve 1971-72.

Nga e majta: Astrit Goxhaj, Ferman Haska, Përparim Goxhaj, Malo Xhani, Vladimir Bushi, Selam Kocali, Ilir Seferi, Flamur Hoxha, Reshat Sala, Avdulla Muçi dhe Myzafer Shehu.

Në vjeshtën e vitit 1972, thirret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe e hedhin në Sarandë, ku grumbullohet me ekipin e “Butrintit”. Ferman Haska luan edhe në kampionatin ushtarak të futbollit, që u zhvillua në Gjirokastër. Loja dhe golat spektakolare të Fermanit në Kampionatin Ushtarak të Gjirokastrës, tërhoqën vëmendjen e drejtuesve të futbollit dhe sporteve në rrethin e Tepelenës. Me ndërhyrjen e këtyre të fundit dhe me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, bënë të mundur transferimin e Ferman Haskës, në fillimin e vitit 1973, për të kryer shërbimin ushtarak, në një nga brigadat që ishin të lokalizuara në veri-perëndim të qytetit të Tepelenës.

Memaliaj: Ekipi i futbollit “Minatori”. Sipër majtas, Vladimir S. Shehu, Vladimir Muçi, Arjan Rama (tiranas), Edmond K. Hoxha, Ilir Seferi, Ferman Haska. Ulur majtas, Vladimir Hoxha, Asrtit Goxhaj, Anastas Thodhori, Ferdinand Kashri dhe Avdulla Muçi.

Futbollisti i talentuar, Ferman Haska ka filluar të luaj si mesfushorë dhe më pas si sulmues me ekipin “Minatori”, qysh nga viti 1973 deri në vitin 1985 me një kontribut të jashtëzakonshëm, duke i dhuruar emocione nga më të veçantat, jo vetëm sportdashësve memaliotë dhe atij në mbarë trevën tepelenase, por edhe atyre ku ekipi “Minatori”, luante si ekip mik. Nuk duhet harruar se këta të fundit, së bashku me futbollistët e ekipeve të tyre, kanë përjetuar edhe emocione plotë shqetësime dhe ankth, pasi loja spektakolare e Ferman Haskës e mbushur plotë sprintime, driblime, goditje nga distanca, fitues për topin në dyluftimet në ajër dhe një njohës shumë i mirë i portës, e kishte bërë atë në një nga golashënuesit më të mirë. Nga e fundit, ishte kthyer në një tmerr i vërtetë për ekipet kundërshtare, jo vetëm për ato të Kategorisë së Dytë, por edhe për ato ekipe të Kategorisë së Parë, kur ekipi “Minatori” luante për “Kupën e Republikës”.

Memaliaj: Ekipi i Manatorit (Brazili i Vogël). Majtas: Ferman Haska, Kastriot Lika, Selam Kocali, Vladimir Bushi, Ilir Seferi, Vladimir Hoxha, Bektash Caushi, Vladimir Shehu, Flamur Hoxha, Avdulla Muçi dhe Reshat Sala.

Në vitin 1987, krijon ekipin për moshat e vogla dhe vazhdon drejtimin e tyre si trajner edhe në ditët e sotme. Ferman Haska ka qenë edhe zv/trajner i ekipit ‘Minatori”, në vitet 1988-90. Në vitin 1996-ë, i besohet drejtimi i ekipi të futbollit “Memaliaj” me zv/trajner, Asllan Seferin dhe vazhdojnë deri në vitin 2000.

Memaliaj: Ekipi i futbollit të ofiçinës së minierës së Memaliajt. Siper majtas: Astrit Goxhaj, ……, Mehdin Malkaj, Bashkim Xhemali, Ilir Seferi, Avdulla Muçi, Ilia Muçi, Ferman Haska. Ulur majtas: Luan Shehu, Përparim Hoxha, Avdul Braja dhe Kosta Cui

Në vitin 1996, për vlerat e tij të larta sportive si futbollist dhe për kontributin e tij të pashoq në këtë sport, vlerësohet nga FSHF-ja me titullin e lartë, “Mjeshtër Sporti”.

Tepelenë: Ekipi “Minatori”. Lart nga e majta: Bektash Caushi, Flamur Hoxha, Reshat Sala, Arjan Rama, Ndreko Qesko, Ilir Xhemali, Ferdinant Kashri. Ulur nga e majta: Vladimir Hoxha, Sandi Qiqi, Mihal Çimi dhe Ferman Haska.

Mjeshtëri i Sportit, Ferman Haska nuk është larguar asnjëherë nga sporti i futbollit, pasi edhe në ditët e sotme vazhdon të stërvisë moshat e vogla dhe i përgatit ata, deri në moshën kur ata bëhen gati të luajnë me ekipin e të rinjve dhe më tej. Për kontributin e tij në respekt, të gjithë brezat i flasin Prof. Ferman Haska. Në Memaliaj, ai banonte me nënën e tij. Nënë Nele, ishte shumë e dashur dhe gëzonte respektin e të gjithë bashkëqytetarëve.

Tepelenë: Sipër majtas, Reshat Sala, Bektash Caushi, Flamur Hoxha, Qirjako Fani (trajner), Ndreko Qesko, Arjan Rama (tiranas), Ferman Haska. Majtas poshtë: Ilir Xhemali, Vladimir Hoxha, Avdulla Muçi, Ilir Seferi dhe Ferndinad Kashtri (tiranas).

Prof. Ferman haska, krijoi familje në fund të vitet ’70, me memalioten Lumturi Lika dhe sollën në jetë edhe dy fëmijë, të cilët i pagëzuan me emrat, Spartak dhe Orjola. Spartaku, filloi të luante futboll që në moshë të vogël dhe në vazhdim, ndërsa Orjola vazhdoi studimet për gjuhën e huaj gjermane.

Memaliaj: Sulmuesi Ferman Haska dhe në të djathtë të tij futbollisti, Bektash Caushi

Të flasësh për futbollistin. Ferman Haska dhe të sjellësh gjithashtu në këtë shkrim, kujtimet e futbollistëve dhe sportdashësve memaliotë, padyshim që janë nga më të bukurat dhe emocionueset, si e tillë do të duhen shumë orë për t’i përshkruar. Duke patur fatin t’i dedikoj këtë shkrim, nuk mund të ri pa shkruar një nga kujtimet e mia që ende më shoqëron.

Tepelenë: Ekipi i futbollit “Minatori”. Lartë majtas: Shezai Memushi (vlonjat), Bektash Caushi, Vladimir Hoxha, Agron Ilirjani, Agim Kapllani (vlonjat), Vasil Hanaj (mesfushorë nga Narta e Vlorës), Gjon Dervishi, Flamur Hoxha. Ulur nga e majta: Niko Kukumi, Selam Kocali, Aleksandër Qiqi, Ferman Haska dhe Edmond Tarkaj.

E kam fjalën për minutat e para të Ferman Haskës, në Memaliaj. Ishte një nga paraditet e fundit të shkurtit të vitit 1973, kur tek harku i zonës së portës nga krahu perëndimorë i  fushës, vumë re, se po afrohej Turabi Shehu, shoferi i autobuzit të ekipit, i cili po shoqërohej nga një ushtar i veshur me kapotë dhe më i shkurtër se Turabiu.

Memaliaj: Ekipi i futbollit “Minatori”. Në rreshtin e sipërm nga e majta: Reshat Sala, Flamur Hoxha, Vladimir Shehu, Ndreko Qesko, Vladimir Bushi, Bektash Caushi, Ferman Haska. Ulur nga e majta: Avdulla Muçi, Selam Kocali, Vladimir B.Hoxha dhe Enver Kokona. Dalë në vitet 1980.

Unë isha duke ndihmuar Prof. Karafil Asllanin, pasi po hapnim gropat për të vendosur tek secila, thylla betoni që do të shërbenin për rrethimin e brendshëm të fushës, punë kjo që zgjati disa javë, pasi edhe moti bënte të vetën. Unë ngaqë banoja tek pallati që ishte vetëm disa metra larg fushës, shkoja shpesh dhe e ndihmoja Prof. Filen. Ne ishim nga krahu jugor i fushës, shumë afër vendit ku bashkohej vija anësore me vijën e mesit të fushës. Koha ishte me diell dhe jo ftohtë, por fusha ishte bosh. Ndaluam së punuari dhe shumë shpejtë u përballëm me Turabiun dhe ushtarin që dukej shumë i ri në moshë dhe i fizikshëm. Që të dy u takuan me Prof. Filen ku në të njëjtën kohë Turabiu e prezantoi me emër Fermanin, ndërsa mua më përshëndetën. Takimi nuk zgjati më shumë se 5 minuta dhe po aty, duke qëndruar në këmbë, me atë qetësinë tij, Prof. Filia i uroj mirëseardhjen. Të nesërmen, Fermani filloi stërvitjen dhe lajmi u përhapë shumë shpejtë. Në ato vite stërvitja e “Minatorit”, sidomos ndeshja e kontrollit që bëhej çdo të enjte, ndiqej nga më shumë se një mijë sportdashës.

Memaliaj: Ekipi legjendar “Minatori” i qytetit Memaliaj. Majtas, Partizan Hila (trajner), Myzafer Shehu, Petrit Kocali, Reshat Sala, Flamur Hoxha, Sadik Nela, Ilir Seferi, Astrit Goxhaj, Sotir Lika, Vladimir Hoxha, Selam Kocali dhe Ferman Haska

Telenti Ferman Haska, i fitoi shumë shpejtë zemrat e të gjithë tepelenasve dhe u bë një ndër futbollistët më popullor dhe më të mirënjohur në jug të vendit dhe kudo që ai luante! Falë formës së lartë sportive të të gjithë futbollistëve të “Minatorit” të asaj kohe, ku ishte pjesë edhe loja spektakolare e Ferman Haskës, tërhoqi aq shumë vëmendje, saqë në ndeshje të veçanta me ekipe të forta apo kur luhej kundra ekipeve të Kategorisë së Parë, për “Kupën e Republikës”, në Memaliaj vinin sportdashës edhe nga qytetet të tjera të jugut si, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Ballësh,..etj, pasi aty ishte edhe një tjetër spektakël. të cilin e dhuronin tifozët e zjarrtë!

Tepelenë: Ekipi “Minatori”. Lart majtas: Bektash Çaushi, Flamur Hoxha, Xhevit Kacorri, Ndreko Qesko, Vasil Llanaj, Luan Meta. Ulur majtas: Selam Kocali, Niko Kukumi, Foto Strakosha, Mariglen Hysesani dhe Ferman Haska. Dalë në stadiumin e qytetit të Tepelenës më 28 Mars të vitit 1885. (Minatori 2-0 Permeti)

Futbollisti Ferman Haska, nëse do të përjetonte ëndrrën e tij të kohës, në një Shqipëri të hapur dhe demokratike, padyshim që do të ishte një ndër lojtarët më me zë, jo vetëm në Europë, por edhe në botë.

Tepelene: Ferman Haska me ekipin e moshave te vogla

Në mbyllje të këtij dedikimi modest, po shprehë jo vetëm mirënjohjen më të thellë, por edhe vlerësimin që i bëjnë memaliotët dhe gjithë tepelenasit, të cilët prej kohësh e kanë shpallur, Ferman Haskën “Qytetar Nderi i Memaliajt”, por edhe “Nderi i Rrethit Tepelenë”!

Edmond Ismailati

Dhjetor 31, 2022