Bota Misioni sekret për të rikuperuar nga deti thesarin 17 miliardë dollarësh nga...

Misioni sekret për të rikuperuar nga deti thesarin 17 miliardë dollarësh nga anija e shekullit të 18

Që kur marina kolumbiane zbuloi vendin e fundit të prehjes së galerës spanjolle “San Jose” në vitin 2015, vendndodhja e saj ka mbetur një sekret shtetëror. Rrënojat dhe ngarkesa e saj e çmuar, mbeten ende në thellësi të ujërave të Karaibeve.

Përpjekjet për të ruajtur anijen dhe për të rikuperuar ngarkesën e saj të çmuar, janë vështirësuar jo pak nga një varg mosmarrëveshjesh ligjore ndërkombëtare. Sepse Kolumbia, Spanja, grupet indigjene boliviane dhe një kompani shpëtimi amerikane pretendojnë se kanë pjesë nga ari, argjendi dhe smeraldi që gjendet në bord, dhe që mendohet se ka një vlerë deri në 17 miliardë dollarë.

Kur Kolumbia u përpoq të nxirrte në ankand një pjesë të thesarit për të financuar kostot e mëdha të rikuperimit të anijes, ndërhynë menjëherë UNESCO dhe Gjykata e Lartë. Por 8 vjet pas zbulimit, zyrtarët thonë se po e lënë mënjanë politikën dhe se mund të nisin nxjerrjen e objekteve nga reliket e anijes duke nisur që nga muajit ardhshëm.

Alhena Caicedo, drejtore e Institutit Kolumbian të Antropologjisë dhe Historisë thotë: “Ne nuk po mendojmë për thesarin. Po mendojmë sesi të kemi qasje tek informacioni historik dhe arkeologjik që bartin ato relikte”. Anija “San José” po kthehej në Evropë me shumë thesare, për të ndihmuar në financimin e luftës mbi trashëgiminë e fronit spanjoll.

Ajo u fundos nga një skuadrilje britanike në vitin 1708, afër qytetit portual Karagjena në Detin e Karaibeve. Historianët thonë se reliket e anijes, mund të ndihmojnë në zbulimin e shumë të dhënave mbi perandorinë spanjolle në kulmin e fuqisë së saj, dhe historitë e përbashkëta e të mbivendosura të Evropës dhe Amerikës Latine.

Ekipi i Caicedo shpreson që pas marrjes së thesarit, të jetë në gjendje të nxjerrë në sipërfaqe rrënojat e anijes, dhe t’i ekspozojë ato në një muze që do të ndërtohet enkas për të, dhe ku vizitorët do të jenë në gjendje të eksplorojnë “të gjitha sekretet e fundit të oqeanit” thotë ajo.

Por ndërsa ekspedita vazhdon të eksplorojë vendin ku gjenden rrënojat, po del në pah edhe shkalla dhe kompleksiteti i kësaj sfide. Pak anije si “San José” janë gjetur ndonjëherë, dhe asnjëra prej tyre nuk është arritur të rikuperohet nga ujërat e ngrohta tropikale.

“Kjo është një sfidë e madhe, një projekt që ka shumë pak precedentë. Në një farë mënyre, ne jemi pionierë”- thekson Caicedo. Ndoshta krahasimi më i afërt do të ishte me anijes “Mary Rose”, më të famshmen e flotës së mbretit britanik Henry VIII, e cila u mbyt në vitin 1545 gjatë një beteje kundër flotës franceze në brigjet e Portsmouth.

Rrënojat e shekullit XVI-të u eksploruan nga qindra zhytës – shumë prej të cilëve ishin vullnetarë – për një dekadë, përpara se anija të nxirrej me kujdes në sipërfaqe në vitin 1981. Tani pjesa e mbijetuar e anijes është e ekspozuar në një muze dhe vlen 45 milion dollarë.

Marina e Kolumbisë e ka studiuar rastin e nxjerrjes së “Mary Rose” dhe projekte të tjera të ngjashme, për të parë se si mund të nxjerrë dhe ruajë anijen 40 metra të gjatë dhe përmbajtjen e saj pa u shndërruar e gjitha në pluhur.

“San José është një anije shumë e veçantë. Është e krahasueshme me ‘Mary Rose’, pasi ishte aktive në kulmin e teknologjisë dhe ndërtimit të anijeve spanjolle. Ndaj ajo mund t’i japë përgjigje shumë pyetjeve”- thotë Ann Coats, profesoreshë e asociuar në trashëgiminë detare në Universitetin e Portsmouth.

Ngarkesa e anijes përfshin artikuj prej qelqi, porcelani dhe lëkure, dhe historianët shpresojnë se rikuperimi i saj mund t’u japë shumë të dhëna mbi rrjetet tregtare globale të shekullit XVIII-të, hierarkinë komplekse koloniale të Spanjës, dhe jetën e 600 personave që u mbytën bashkë me të.

Por ndërsa “Mary Rose” dergjej në ujërat e ftohta bregdetare, “San José” u mbyt në ujëra të thella tropikale, të cilat ndoshta do të kenë qenë mizore për anijen, dhe mund ta bëjnë rikuperimin një nga më të kushtueshmit dhe më kompleksët në histori.

“Përmbajtja është vërtetë e larmishme, dhe ne nuk e kemi idenë se si do të reagojnë reliket kur të bien në kontakt me oksigjenin. Ne nuk e dimë as nëse është e mundur të ngrihet diçka nga uji”- thotë Caicedo. Vendndodhja e saktë e rrënojave mbetet një sekret shtetëror, për ta mbrojtur vendin nga grabitësit.

Por autoritetet kolumbiane, kanë zbuluar se anija gjendet 600 metra në thellësi të detit, shumë larg për t’u arritur nga zhytësit normalë. Aktualisht ushtria kolumbiane po zhvillon robotë nënujorë të cilët së pari do të fotografojnë, xhirojnë dhe hartojnë në detaje rrënojat, përpara se të tentojnë me kujdes rikuperimin e tyre.

Sesa objekte mund të shpëtohen, kjo do të varet nga një mori faktorësh: rrymat, temperatura e detit, lloji i baltës në të cilën është zhytur, mënyra se si 60 topat prej bronzi të anijes u zhytën dikur në shtratin e detit, madje edhe se cilat krijesa jetojnë atje”- thotë drejtuesja i programit kërkimor të anijes “Mary Rose”, Alex Hildred.

“Sepse para se të mbytej ajo mori flakë. Ngritja e anijes dhe ndërtimi i një muzeu, do të jetë vërtet e vështirë, e kushtueshme dhe tejet sfiduese… Pastaj të gjithë duan pak nga ajo. Është thjesht një makth”- thekson më tej Hildred. Pretendimet ndërkombëtare mbi anijen, kanë sjellë ndërprerjen e kërkimeve historike për shkak të një procesi gjyqësor mbi atë se kush është pronari i saj i ligjshëm.

Edhe pse rrënojat u gjetën në ujërat kolumbiane, Spanja argumenton se “San José” ishte pjesë e flotës spanjolle, dhe po kthehej nga ajo që në atë kohë ishte pjesë e perandorisë spanjolle. Ndërkohë, Sea Search Armada (SSA), një kompani kërkim-shpëtimi me qendër në SHBA, është përfshirë në një betejë ligjore me Kolumbinë, me pretendimin se ai ishte ajo që zbuloi e para në vitin 1981 zonën ku u mbyt “San José”.

SSA pretendon se në fillim Kolumbia pranoi të ndajë çdo lloj fitimi nga nxjerrja në sipërfaqe e këtij thesari, por në vitin 2011 një gjykatë e shpalli galerën pronë të shtetit kolumbian. Edhe komunitetet indigjene në Bolivi, kanë shprehur gjithashtu pretendimin e tyre për çdo pasuri të mundshme, duke argumentuar se paraardhësit e tyre ka të ngjarë të kenë nxjerrë argjendin dhe arin e përdorur për shumë nga thesaret e anijes së mbytur.

Vetë Ministria kolumbiane e Kulturës, thotë se qeveria ka vetëfinancuar fazën e parë të eksplorimit me 7.3 milionë dollarë, dhe nuk do të shesë asnjë nga artefaktet e çmuara siç iu lut UNESCO-s në vitin 2018. “Paratë e kanë diktuar gjithmonë historinë e anijes San Jose. Britanikët donin ta kapnin për t’ia mohuar paratë Spanjës. Më pas thesaret e mëdha në bord nxitën kërkimin arkeologjik për rrënojat. Por mosmarrëveshjet e penguan studimin e anijes. Do të ishte mirë nëse paratë nuk do të shkaktonin përplasje, pasi mund të kishte një bashkëpunim i madh kulturor për ta studiuar siç duhet atë”, thekson më tej ajo.

Burimi: The Guardian