Topi i Artë? Është i tiji! Leo Mesi është drejt kurorëzimit për herë të gjashtë si futbollisti më i mirë i planetit, duke lënë pas rivalin e tij Kristiano Ronaldo. Sezoni po orientohet gjithnjë e më shumë drejt triumfit personal të “Pleshtit”.
Objektivi është të kurorëzohet kampion i Europës për herë të pestë, duke e barazuar Kristiano Ronaldon edhe në këtë garë, e cila natyrisht do të ishte vendimtare për argjentinasin për ta lënë portugezin pas në nivelin personal të trofeve individualë.
E gjitha kjo, për meritë të kualifikimit të Barcelonës në gjysmëfinale, ku ai vendosi këmbën e tij me dopietën që i shënoi Mançester Junajtid në çerekfinale dhe u ngjitur në 10 gola këtë sezon në Champions. Në listën e shënuesve më të mirë, i shikon të gjithë nga lart dhe i afrohet titullit të gjashtë të golashënuesit më të mirë të kompeticionit europian. Për momentin janë 110 golat e tij në Champions, duke mbetur ende larg 126 golave të Kristianos, por Leo ka të paktën edhe dy ndeshje për ta reduktuar këtë diferencë. Megjithatë, kjo nuk do të ketë shumë rëndësi për garën e Topit të Artë.
Ronaldo tashmë është i eliminuar nga Europa dhe Mesi, përveç triumfit në finalen e “Wanda Metropolitano”, e ka thuajse të sigurt titullin e La Ligës, (Barcelona është kualifikuar edhe në finalen e Kupës së Mbretit) ashtu si edhe trofeun e Këpucës së Artë, që pritet ta bëjë të tijin për herë të nëntë.
Ai është gjithashtu 4 gola larg shifrës 600 të shënuar me fanellën e Barcelonës. Por në Europë asgjë nuk është e sigurt, përveç faktit se ai është duke vendosur duart te trofeu i gjashtë i Topit të Artë, pasi Luka Modriç ndërpreu dominimin e tij dhe Kristiano Ronaldos. Argjentinasi i lëshon sfidën Kristianos. Dhe sa herë ndodh kjo, ylli i Juventusit zemërohet dhe prodhon sezonin e radhës së rekordeve.