Grupi hetimor është rikthyer sërish sot në mëngjes në vendin e ngjarjes në fshatit Sumë në Pult të Dukagjinit, për të kqyrur sërish skenën e krimit për vrasjen e babë e bir, Gjokë dhe Eduard Gurra.
Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se nga gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes është qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov.
Në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja. Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar.
Veç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa.
Burime jozyrtare kanë hedhur dyshime se lidhjet e 57-vjeçarit Gjok Gurra me ish-kolegët e tij të policisë në dhënien e informacioneve për kultivimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit, mund të jetë një nga pistat e kësaj ngjarje të rëndë.
Megjithatë, nuk përjashtohen as pista të tjera të mundshme. Zona ku ka ndodhur vrasja, është thuajse jashtë kontrollit të policisë.
Edhe aksionet kundër kanabisit në këtë zonë bëhen me forca të shumta, pasi nuk kanë munguar kundërveprimet nga personat që e mbjellin.