Zbardhen detaje të tjera tronditëse në lidhje me vetëflijimin e nënë e bijë në Tiranë, pak ditë më parë. E mbijetuara e kësaj tragjedie të padëgjuar ndonjëherë në Shqipëri, Blerta Josifi, ka dëshmuar para oficerëve të policisë, duke zbardhur tragjedinë.
Blerta ka treguar se e motra ka ndërruar jetë në datën 26 mars 2019. Anisa Josifi, prek 15 muajsh është mbajtur e vdekur në shtëpi nga nëna dhe motra e saj.
Ato e lyenin me vaj dhe uthull trupin e mbështjellë me çarçafë të Anisës për ta mumifikuar dhe që era e keqe të mos kuptohej nga fqinjët.
Dëshmia
Blerta, e cila ndodhet në urgjencën e psikiatrisë ka thënë se e motra ka vdekur nga mungesa e ushqimit dhe ujit. Ndërkohë Zhaneta ka ndërruar jetë pak ditë para se të zbulohej ngjarja. 34-vjeçarja shtoi në dëshminë e saj se për 45 ditë bashkë me të ëmën nuk kanë ngrënë bukë, vetëm kanë pirë ujë nga çezma.
Blerta Josifi është shprehur se ndiqte që prej moshës 15-vjeçare sektin e Dëshmitarëve të Jehovait, ndërsa më vonë ka ndjekur Kishën Ungjillore.
Mirëpo dy vitet e fundit, Josifi ka treguar se ishin shkëputur dhe nuk shkonin në kultet fetare, por besonin në ringjallje. E para që ka nisur ritet për ringjalljen ka qenë Anisa Josifi. Blerta ka treguar se ajo ka qëndruar për 2 muaj pa ngrënë dhe në Mars të 2019-s dyshohet se ka humbur jetën, ndërkohë që Blerta Josifi thotë se “ra në gjumë të thellë sepse u pushtua nga demonët”.
“Qëkur isha 15 vjeç kam ndjekur Dëshmitarët e Jehovait. Më vonë kemi qenë edhe në kishën Ungjillore. Dy vitet e fundit u shkëputëm dhe nuk shkonim në asnjë kult fetar, por besonim në ringjallje dhe i kryenim ritet në banesë. Ritet e ringjalljes fillimisht i nisi Anisa në fillim të vitit 2019. Qëndroi duke u lutur dhe pa ngrënë gati 2 muaj deri në Mars të 2019 ku ra në gjumë të thellë sepse u pushtua nga demonët. Motrën e lyenim me uthull se kështu na mëson bibla jonë”, ka dëshmuar Blerta Josifi.
E ëma Zhaneta dhe motra Blerta kanë nisur ritet e sakrificës një vit pas vdekjes së Anisës. Sipas dëshmisë, Zhaneta Josifi ka humbur jetën në fillim të Korrikut, ndërsa vetë Blerta ka vijuar me ritet derisa e gjeti policia.
“Një vit pasi motra ra në gjumë nisëm sakrificën unë dhe mami. Pinim vetëm ujë të filtruar në napa dhe nuk konsumonim ushqim. Gjithë ditën luteshim për të kthyer në jetë motrën. Në ditët e para të Korrikut mami ra pa ndjenja në mes të dhomës ku po lutej. Ndërsa unë vazhdova ritin derisa erdhi policia”, ka dëshmuar Blerta Josifi.
Sot zjarrfikëset kanë zbarkuar pranë banesës së familjes Josifi për të bërë dezinfektimin e plotë, kjo pasi banorët e kanë kërkuar për shkak të erës së keqe që vinte në pallat.
Banesa nuk kishte energji elektrike dhe nënë e bijë qëndronin në errësirë të plotë.
Ndërkohë, Blerta aktualisht është në një gjendje të përmirësuar shëndetësore. Por ajo po vuan pasojat psikologjike pasi ka frikë që të qëndrojë vetëm dhe nuk duron dot dritën.
Reagimi i Kishës Ungjillore
Ndërkohë, pas Dëshmitarëve të Jehovait, edhe Kisha Ungjillore ka mohuar që Zhaneta, Anisa dhe Blerta Josifi të kenë qenë pjesë e tyre.
“Nëse kanë qenë Ungjillore, se mund të vish në takime e Kishës, por nuk do të thotë se je Ungjillor, kjo që ata kanë bërë do të ishte dështim i besimit tonë. Nëse një Ungjillor arrin të shkojë kundër besimit të vet, siç shkojnë këto vajza duke vdekur nga uria, kjo është dështim, ne inkurajojmë që të shkohet përtej sakrificave”, tha Ylli Doçi nga Kisha Ungjillore.
“Në bazë të komunikimeve kanë qenë para 15 vitesh në Përmet, ndërsa në Tiranë mund të kenë qenë vizitore, por nuk rezultojnë si anëtare të kësaj kishe. Kishat janë të hapura çdo ditë, marrin libra, por nuk kanë qenë si pjesë anëtare të kishës. Unë jam pastor në Kombinat dhe nuk kam dëgjuar asnjëherë për këtë familje”, tha pastori Ergest Biti.
Sekti sekret
Pasi janë larguar nga Dëshmitarët e Jehovait, ata janë bashkuar me kishën Ungjillore. Por prej pak kohësh ishin larguar edhe nga kjo bashkësi për t’u lidhur me një sekt sekret që predikon ringjalljen përmes vetëflijimit, edhe pse në dëshminë e Blerta Josifit nuk përmendet ndikimi i ndonjë sekti.
Pikërisht ky sekt, pjesë e të cilit janë edhe disa të huaj, besohet se ndikoi në sjelljen ekstreme që i mori jetën Zhaneta dhe Anisa Josifit.
Sot dosja e policisë u dërgua në Prokurorinë e Tiranë, për nenin 99, që bën fjalë për shkaktim të vetëvrasjes.
Dosja është regjistruar pa autor dhe pritet që hetimet e organit të akuzës të hedhin dritë mbi sektet që lidhen me këtë ngjarje.