Një tjetër motiv për tensione mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, pas mbylljes së selisë diplomatike në Hjuston. Një shkencëtare kineze ka hyrë në SHBA me një vizë false, duke shmangur lidhjet që sipas amerikanëve i ka me ushtrinë e Pekinit. 26-vjeçarja, Tang Juan, e cila është marrë në pyetje dhe akuzuar nga FBI, ka mohuar gjithçka dhe është zhdukur duke u strehuar me shumë mundësi në konsullatën kineze në San Francisko.
Deklarata e biologes ku mohon pjesëmarrjen në ushtrinë e Kinës ka rënë poshtë, sipas Byrosë Federale të Hetimit, pasi janë shfaqur imazhe ku tregojnë Tang me uniformë të ushtrisë popullore. Megjithatë 26-vjeçarja ka shpjeguar se veshja e uniformës ishte e detyrueshme në Universitetin e saj pasi ishte një shkollë ushtarake.
Ngjarja është kthyer në një nga hetimet më të gjera të prokurorëve të FBI kundër një programi të Pekinit, përmes të cilit dërgojnë shkencëtarë ushtarakë në Amerikë me anë të një identiteti fals. Zyrtarët federalë konfirmojnë se të paktën në një rast është zbuluar një shkencëtar kinez duke kopjuar apo vjedhur informacione të institucioneve amerikane me urdhër nga Ushtria Popullore. Kina i konsideron këto veprime si persekutim politik.