Prokuroria e Peruxhias merr në pyetje partneren shqiptare. Dy janë pistat e hetimit: Zhdukje e qëllimshme ose vrasje
Kush e ka takuar Davide Pecorelli-n, sipërmarrësin italian të zhdukur në Shqipëri që prej 6 Janarit? Kush kanë qenë kontaktet e fundit të Davide-s? Çfarë do të bënte ekzaktësisht në Pukë, aty ku u gjet makina e tij e djegur tërësisht? Për të mësuar më shumë, mediat italiane shkruajnë se prokurori i Peruxhias, Giuseppe Petrazzini ka marrë në pyetje partneren e tij shqiptare, ashtu sikurse edhe ish-bashkëshorten italiane, ndërsa pak ditë më parë autoritetet ushtruan kontroll në banesën e tij në Selci Lama.
Organi i akuzës po përpiqet që të rindërtojë me ekzaktësi lëvizjet e 45-vjeçarit, sidomos ato të 6 Janarit. Autoritetet po përpiqen gjithashtu të kuptojnë cilat ishin miqësitë e tij në Shqipëri dhe kontaktet që kishte arritur të krijonte, mbi të gjitha gjatë muajve të fundit. Mbetet gjithashtu për të qartësuar gjendjen financiare të ndërmarrjeve të Pecorelli-t, për të kuptuar më mirë arsyet e udhëtimeve të shpeshta mes Alta Valle del Tevere dhe Tiranës.
Nga Shqipëria nuk ka zhvillime të reja. Edhe përgjigja e ADN-së është shtyrë më të paktën 1 javë. Sipas mediave italiane, për ditë me radhë policia shqiptare ishte e bindur se bëhej fjalë për vetëvrasje, duke lënë mënjanë hipotezat e tjera. Në të vërtetë, motivacionet e hetuesve në Tiranë nuk i kanë bindur kolegët në Peruxhia, thonë mediat fqinje, që pritet të analizojnë çdo detaj. Prokuroria italiane deri më tani është mjaftuar vetëm me hapjen e një hetimi që ka dy pista: zhdukjen e qëllimshme ose vrasje.
Përpara se të nisej për Shqipëri, Davide i kishte treguar një miku se në vendin tonë do të takohej me një mjek, në tentativë për t’i shitur një lazer të gjeneratës së fundit. Një tregti e cila do të kushtonte rreth 70 mijë euro. Në realitet, policisë shqiptare nuk i rezulton që ky takim të ketë ndodhur, madje nuk është identifikuar as profesionisti që duhet të blinte teknologjinë e sipërmarrësit italian.