Rezultatet e një studimi të ri nga Universiteti Yale treguan se antitrupat e formuar pas infektimit me koronavirusin e ri mund të sulmojnë disa organe, inde dhe madje edhe vetë sistemin imunitar, dhe se ky mund të jetë shkaku i COVID afatgjatë, raporton The Guardian.
Autorët e studimit analizuan përgjigjen imune të njerëzve të infektuar dhe të shëndetshëm dhe vunë re se antitrupat e pacientëve të infektuar nuk kanë një funksion natyror ose të paracaktuar.
Me fjalë të tjera, antitrupat në gjakun e tyre sulmuan organet, indet dhe madje edhe vetë sistemin imunitar në vend që të luftonin infeksionin.
Nivelet dramatike të “zjarrit miqësor” të sistemit imunitar mund të jenë shkaku i COVID-it afatgjatë në pacientët që infektohen me koronavirusin e ri, i cili i bën ata që të ndiejnë simptoma për një kohë të gjatë, edhe pas shërimit, thonë shkencëtarët.
Nga analiza të mëtejshme, ata zbuluan se sa më shumë të ashtuquajturat “auto-antitrupa” ka një person i infektuar, sëmundja është dhe më e rëndë. Për më tepër, pacientët me COVID kishin shumë më tepër antitrupa që i sulmonin ata sesa pacientët me lupus, një sëmundje autoimune e shkaktuar nga antitrupa të ngjashëm.
“Pacientët me COVID prodhojnë auto-antitrupa që në të vërtetë ndërhyjnë në përpjekjet e sistemit imunitar për t’i rezistuar virusit. Ne sigurisht besojmë se këto auto-antitrupa janë të dëmshëm për pacientët me infeksion COVID-19”, tha imunobiologu dhe autori i studimit Aaron Ring.
Ring, së bashku me Akika Iwasaki, një profesore e imunobiologjisë në Yale, ekzaminuan 194 pacientë dhe stafin e spitalit, rastet e të cilëve të infeksionit COVID ndryshonin në kontekstin e ashpërsisë së infeksionit. Studiuesit zbuluan se pacientët me COVID kishin një “rritje dramatike në reaktivitetin e antitrupave” krahasuar me 30 punonjës të shëndetshëm të spitalit që nuk ishin infektuar me virusin.
Më shumë se 5 për qind e pacientëve të shtruar në spital kishin auto-antitrupa që dobësuan mbrojtjen imune, e cila ndihmohej nga proteinat e quajtura interferone.
Ring beson se nëse auto-antitrupat COVID-19 vazhdojnë në trup, mund të luajë një rol në COVID-in e gjatë.
“Sindromat post-COVID mund të shkaktohen nga auto-antitrupa afatgjatë që qëndrojnë në trup dhe pasi trupi pastrohet nga virusi. Nëse është kështu, ka trajtime imunosupresive, të tilla si ato që përdoren për sëmundjet reumatizmale, që mund të jenë efektive,” tha Ring.
Studimi i ri nga Yale ende nuk është rishikuar dhe botuar në ndonjë revistë shkencore.