Bota Mitsotakis: BE duhet të integrojë Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2033

Mitsotakis: BE duhet të integrojë Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2033

“Bashkimi Evropian duhet të sigurojë brenda vitit 2033, integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Kështu ka deklaruar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një artikull të botuar në “Politico” përpara samitit që do mbahet në Greqi, mbi Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), raporton Reuters.

Kyriakos Mitsotakis e quajti integrimin e vendeve tw Ballkanit “një hap ambicioz, por të nevojshëm” dhe theksoi se BE-ja duhet të tregojë që kur “parashtron një vizion, ka synimin dhe kapacitetin për ta ndjekur atë”.

“Vizioni i pranimit në BE për rajonin është bërë i paqartë, duke u zbehur në sytë e qytetarëve të frustruar dhe të zhgënjyer, ndërsa zgjerimi i BE-së ka ngecur vitet e fundit për shkak të shqetësimeve të sigurisë, qeverisjes dhe migrimit”.

Më 23 qershor do të mbahet një samit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi im sot është i qartë: në përputhje me kriteret e përcaktuara, le të ofrojmë integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2033 – një afat kohor ambicioz por i arritshëm. Kjo është shumë e vonuar,” tha Mitsotakis.

“Hapi i parë duhet të jetë një marrja e një vendimi brenda dy javësh në Bruksel, për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Nisma e Mitsotakis tregon se si Greqia është përpjekur të rrisë rolin e saj në Ballkan pas daljes nga një krizë financiare që njollosi imazhin e saj.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili të premten filloi një turne dy-ditor në Ballkanin Perëndimor, pritet gjithashtu të udhëtojë në qytetin grek të Selanikut për të marrë pjesë në një darke me 13 pjesëmarrësit e SEECP.