Kyriakos Mitsotakis u betua si kryeministër i ri i Greqisë, pas fitores bindëse në zgjedhjet e parakohshme. 55-vjeçari nisi menjëherë punën lidhur me zbatimin e premtimeve të tij për të rindërtuar imazhin e vendit, krijuar vende të punës, rritur pagat dhe për të shtuar të ardhurat gjatë mandatit të tij të dytë.
Partia konservatore, Demokracia e Re fitoi 158 ulëse në parlamentin me 300 deputetë, ndjekur nga SYRIZA e majtë me 48 ligjvënës.
“Pasi u zgjodha si kryeministër dhe fitova besimin e parlamentit, tani mund të rikthehem në detyrë dhe të vazhdoj punën time, siç thoni ju, nën peshën e këtij posti dhe kësaj përgjegjësie”, u shpreh Mitsotakis.
Ish-bankieri, pasardhës i një familjeje të fuqishme politike në Greqi, ka shërbyer si kryeministër deri në vitin 2019, përpara se të dorëhiqej për t’i lënë vendin një qeverie teknike deri në zgjedhjet e 21 majit, që nuk prodhuan një fitues të qartë.
Zgjedhjet e përsëritën sërish këtë të diel, ku Mitsotakis fitoi një maxhorancë të plotë, duke siguruar 158 deputetë, po aq sa ç’kishte në mandatin e parë qeverisës të 4 viteve të kaluara dhe tashmë mund ta krijojë e vetme qeverinë e re, pa qenë nevoja e koalicioneve paszgjedhore.
Partia e qendrës së djathtë mori 50 deputetë shtesë, maksimumin e bonusit të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për fituesin e zgjedhjeve të ripërsëritura, kur grupimi politik që renditet i pari siguron mbi 40% të votave. Demokracia e Re ka tashmë 12 deputetë më shumë se në zgjedhjet e 21 Majit.
Rënie të numrit të deputetëve kanë të gjitha partitë e tjera që hynë në parlament, në zgjedhjet e muajit të kaluar, ku më e dëmtuara për shkak të llogaritjes së mandateve me bonusin për fituesin është Syriza, e cila u rendit e dyta, por që ka marrë 23 deputetë më pak. Ekstremet politike marrin më tepër deputetë.
Surprizë e këtyre zgjedhjeve është partia e djathë radikale e Spartanëve që u formua këtë muaj dhe siguroi 12 deputetë, partia konservatore ortodokse e Fitores dhe radikalët e majtë të Kursit të Lirisë. Në parlamentin e ri përfaqësohen 8 parti.
Mes ndryshimeve të mëdha të premtuara, kryeministri do të çojë përpara reforma të thella në industrinë jetësore të turizmit dhe në nivelin e pagave. Ai gjithashtu synon që të bëjë një nga reduktimet më të mëdha të borxhit global të Greqisë.