Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e priti kryeministrin shqiptar, Edi Rama në shtëpinë e tij për të folur së bashku. Dreka e punës mes të dyve u zhvillua pikërisht në ambientet e banesës së kryeministrit grek dhe pas kësaj, kreu i qeverisë shqiptare shprehu publikisht mirënjohjen.
Pasi shpërndau fotot nga takimi, Rama u shpreh “falenderues” për atë që e quajti “një shije të shkëlqyer nga mikpritja në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis”.
Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale! Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike🇦🇱🤝🇬🇷 pic.twitter.com/QzGx074KrQ
— Edi Rama (@ediramaal) January 8, 2021
Dy krerët e qeverive patën mundësi të bënin një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale, njoftoi Rama duke e vënë theksin në vullnetin për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike.
Më herët, të njëjtat tema diskutimi i kishte theksuar edhe Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias.
Mediat greke shkruajnë se temë e diskutimit ka qenë padiskutim edhe çështja e detit dhe vendimi i përbashkët për t’ju drejtuar për arritjen e një marrëveshje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me qendër në Hagë.
Vetëm pak javë pasi u dakordësuan për këtë hap, Greqia me dekret presidencial miratoi zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Vendim që rihapi debatet politike e mediatike në Tiranë, por që kryeministri i cilësoi si debat absurd e të nxitur nga presidenti e opozita. Sipas Ramës, Greqia kishte ushtruar një të drejtë të njohur ndërkombëtarisht nga konventat.