Kryesore Mitsotakis flet sërish për Belerin: Përmbys progresin e arritur, do të ndikojë...

Mitsotakis flet sërish për Belerin: Përmbys progresin e arritur, do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka folur për çështjen “Beleri” në një konferencë për shtyp që u realizua në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut.

Sipas tij, burgimi i Fredi Belerit hedh hije mbi marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmbys progresin që janë arritur katër vitet e mëparshme.

“Jam i shqetësuar nga fakti jo vetëm i burgosjes, por madje edhe sot, Shqipëria i mohon një kryetari bashkie të drejtën të betohet. Ia kam raportuar këtë udhëheqjes shqiptare dhe nuk ndërhyj me drejtësinë shqiptare, por kjo është një shkelje e shtetit ligjor dhe krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe që do të ndikojë më gjerë në përpjekjet e Shqipërisë për t’iu afruar BE-së”, tha Mitsotakis sipas asaj që shkruan Kathimerini.

Mitsotakis u shpreh se do të vazhdojë ta ngrejë çështjen në nivel europian dhe tek kryeministri Edi Rama personalisht.

“Nuk do të ndaloj së ngritur këtë çështje në nivel europian dhe tek vetë Rama personalisht”, tha Mitsotakis.

Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit dhe po gjykohet me akuzën për shitblerje të votave. Athina zyrtare ka kërkuar që Belerit t’i jepet mundësia të betohet, por Tirana zyrtare shprehet se një gjë e tillë nuk e lejon ligji.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Beleri iu rrëzua kërkesa për daljen nga paraburgimi dhe çështja ka kaluar për gjykim.