Me një falje të madhe, si borxh ndaj viktimave dhe qytetarëve të Greqisë, kryeministri Kiriakos Mitsotakis ka reaguar për aksidentin tragjik të Tempes, ku humbën jetën 57 persona, dhjetëra të tjera u plagosën, ndërsa rezultojnë edhe disa të zhdukur.
Përmes një postimi në Facebok, Mistotakis shprehet se: “Ne nuk mundemi, nuk duam dhe nuk duhet të fshihemi pas gabimit njerëzor”.
Ai thekson se “fakti që Sistemi i Kontrollit Dixhital do të jetë plotësisht funksional në muajt në vijim nuk është justifikim. E kundërta. Më bën edhe më keq dhimbjen që nuk arritëm ta përfundonim para se të ndodhte e keqja, sepse, në të vërtetë, në Greqinë e 2023, nuk është e mundur që dy trena të lëvizin në drejtime të kundërta në të njëjtën linjë dhe askush nuk e ka vënë re”.
Siç shkruan kryeministri grek Mitsotakis: Drejtësia do të hetojë shpejt tragjedinë dhe do të caktojë përgjegjësinë. Ndërsa në ditët në vijim ministri përgjegjës do të njoftojë ndërhyrjet për përmirësimin e menjëhershëm të sigurisë së hekurudhave deri në përfundimin e Sistemit të Administrimit Elektronik. Tani e kemi për detyrë të qëndrojmë pranë familjeve të viktimave, duke pranuar me guxim gabimet e shtetit.
Në të njëjtën kohë, ai thekson se këto nuk janë të mjaftueshme dhe se do t’i kërkojë menjëherë Komisionit Evropian dhe vendeve mike ndihmën e tyre në aspektin e njohurive, në mënyrë që më në fund të marrin trena modernë.
Ai thekson se do t’u propozojë të gjitha palëve që tani e tutje të angazhohen që në Parlamentin e ardhshëm të krijohet një Komision i Posaçëm që do të hetojë historinë e dhimbshme të hekurudhave greke përgjatë njëzet viteve të fundit.
Ndërkaq, përgjegjësi i stacionit të Larisës ndodhet sot para gjykatës. Ai kërkoi falje për tragjedinë, ndërsa përballet me akuzën e rëndë të prishjes së sigurisë së transportit, vepër kjo që ndiqet penalisht dhe parashikon dënime nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm.