Kryeministri i ri grek ka konfirmuar edhe njëherë se Athina do të vendosë kushte për hapjen e negociatave me vendin tonë.
Në një letër të drejtpërdrejtë për organizatën OMONIA, Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Sipas kësaj organizate letra është me një rëndësi të veçante politike jo vetëm në aspektin e komunikimit zyrtar dhe përmbajtjes së ngrohtë, por edhe në referimin e problemeve dhe rolin politik që luan OMONIA.
“Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak për hapjen e negociatave të integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri i Greqisë.
Letra e tij vjen disa ditë pasi Gazeta më e madhe greke ‘Ekathemirini’ do të shkruante se Greqia nuk do të bllokojë rrugën e pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, por se do të vendosë kushtet e veta në lidhje me negociatat. Gazeta citonte ekspertë dhe burime të afërta me kryeministrin konservator grek.
“Greqia nuk do t’i thotë jo askujt. Sidoqoftë, ajo do të vendosë kushtet e saj, “tha një burim i afërt me Mitsotakis për “Ekathimerini”.
Ekspertët janë të bindur se qeveria e re greke do t’i kërkojë shtetit shqiptar respektimin e të drejtave të pakicës greke në vendin toë, në përputhje me traktatet dhe rregulloret ndërkombëtare. Për sa i përket Maqedonisë së Veriut, Athina do të kërkojë që Shkupi të zbatojë rreptësisht marrëveshjen e Prespës.
Euroactiv” do të shkruante po ashtu disa javë më parë se qeveria e re greke do ta përdorë kërcënimin e vetos, për t’i kërkuar qeverisë shqiptare të fokusohet tek të drejat e minitoritetit grek, një cështje mjaft e ndjeshme për të dyja vendet.
“Fokusi i Greqisë do të vazhdojë të jetë në krizën aktuale politike në Shqipëri dhe në forcimin e luftës kundër sundimit të ligjit dhe korrupsionit. Por mbi të gjitha, shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, një çështje mjaft shqetësuese për Demokracinë e Re”, shkruan “Euroactiv”. Ajo që e ndërlikon më shumë këtë çështje është se trajtimi i pakicës greke në Shqipëri është një çështje shumë emocionale, duke tërhequr tej mase vëmendje mediatike të qytetarëve shqiptarë dhe është po ashtu një çështje shumë e rëndësishme për votuesit e krahut të djathtë të Demokracisë së Re”, shkruan media europiane.
“Ka shumë të ngjarë Mitsotakis të kërkojë ndryshime duke zbatuar taktikën e zakonshme të ‘shkopit dhe karrotës; në këtë rast, shkopi do të lidhej me të drejtat e minoritetit greke dhe karota do të ishin shancet e hyrjes së Shqipërisë në BE. Por një bllokim i mundshëm i hyrjes së Shqipërisë në BE nuk do të ishte në dobi të Greqisë, pasi do të minonte stabilitetin e Tiranës dhe do të dobësonte levën evropiane mbi politikën shqiptare. Për më tepër, Greqia do të ishte me siguri e shqetësuar nga lëvizjet drejt një bashkimi të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat sigurisht do të shtohen nëse shpresat e pranimit të BE shuhen në shtator”, thekson “Euroactiv”.