Bota Mitsotakis mbështet Vuçiçin: Nuk ndryshojmë qëndrim për Kosovën, Serbia po i afrohet...

Mitsotakis mbështet Vuçiçin: Nuk ndryshojmë qëndrim për Kosovën, Serbia po i afrohet BE-së

Greqia nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket Kosovës. Kjo është garancia që i ka dhënë presidentit Aleksandër Vuçiç, kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis, gjatë vizitës së zhvilluar të hënën në Beograd.

Lideri grek, shteti i të cilit është mes 5 vendeve që nuk e njohin pavarësinë, u shpreh i shqetësuar për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe theksoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën.

Mitsotakis, tha se mbështet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor për anëtarësimin në BE.

“Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmojë për të garantuar stabilitetin në rajon. Ne po i shohim me ankth ngjarjet e muajve të fundit. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE.”

Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “ky do të jetë viti i përparimit të madh në lidhjet Serbi-Greqi”.

“Serbia dhe Greqia, gjithmonë kanë mbështetur në mënyre reciproke integritetin territorial të njëra-tjetrës, dhe besoj kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. U shtrua pyetja nëse Serbia ka ndonjë alternativë tjetër përveçse BE, dhe nëse kjo e fundit dëshiron që ne të jemi pjesë e bllokut. Sa na përket neve, i thashë pa mëdyshje, se pavarësisht të gjithave, Serbia është e vendosur të vazhdojë dhe përshpejtojë rrugën europiane.”

Vuçiç tha se me Mitsotakis ka biseduar për energjinë, përkatësisht për naftësjellësit, gazsjellësit, blerjen e gazit, burimet e energjisë së ripërtërishme, por edhe se si kompanitë greke mund të ndihmojnë që Serbia të ndërtojë këto kapacitete.