Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar mbledhjen e parë me deputetët që dolën fitues nga lista e Demokracisë së Re, në zgjedhjet europiane të së dielës. 5 prej eurodeputetëve të zgjedhur ishin të pranishëm fizikisht në zyrën e kryeministrit grek.
Ndërkohë që Fredi Beleri, dhe një eurodeputet tjetër grek, iu bashkuan mbledhjes online.
Kreu i qeverisë greke ka anuluar një udhëtim në Jordani dhe ka organizuar shumë takime me bashkëpunëtorët e tij për të përcaktuar shkaqet e humbjes së 1 milion votuesve të djathtë në zgjedhjet e së dielës për PE.
Madje flitet se në orët e ardhshme deri ditën e premte ai mund të kryejë një riformatim të madh të qeverisë.
Gjithashtu thuhet se në analizat për dobësimin e Demokracisë së Re brenda 10 muajve ka luajtur rol mospjesëmarrja në votime e një pjese të madhe të votuesve të qendrës të cilët janë zhgënjyer nga politikat qeverisëse të konservatorëve muajt e fundit.