Integrimi evropian i Shqipërisë është në favorin e Greqisë. Kështu është shprehur kryeministri Kyriakos Mitsotakis para mediave gjatë Panairit Ndërkombëtar të Selanikut.
“Athina ka mundësinë që gjatë hapjes së kapitujve të imponojë qëndrimet e saj në lidhje me temat e karakterit dypalësh dhe pas zgjerimit të kufijve detarë me 12 milje të shkojë në Hagë për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike. Është diçka e mirë kjo sepse tregon që çështje të tilla, mund të zgjidhen nga një organ ndërkombëtar perëndimor i drejtësisë”, është shprehur ndër të tjera kryeministri grek.
I pyetur për mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe nëse do ta quante kryeministrin Edi Rama satelit të Erdogan, Mitsotakis theksoi se ai ka një raport shumë të mirë me kryeministrin shqiptar dhe mbështet qoftë Tiranën, por edhe Shkupin drejt anëtarësimit në BE.
Rreth dy vite më parë, Shqipëria dhe Greqia vendosën t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar mes dy vendeve në bazë të ekspertizës dhe të së drejtës ndërkombëtare të detit.