Bota Mitsotakis: Populli grek do të votojë për kë do të qeverisë dhe...

Mitsotakis: Populli grek do të votojë për kë do të qeverisë dhe jo për atë që do të udhëheqë opozitën

Populli grek do të votojë në balotazhin e zgjedhjeve më 25 qershor për personin që do të qeverisë dhe jo atë që do të udhëheqë opozitën

Populli grek do të votojë në balotazhin e zgjedhjeve më 25 qershor për personin që do të qeverisë dhe jo atë që do të udhëheqë opozitën, tha kreu i ”Demokracisë së Re” (DR), njëkohësisht kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në një intervistë.

Mitsotakis tha se fituesit në raundin e parë të zgjedhjeve të 21 majit përfshinin, përveç DR, edhe shoqërinë greke dhe dialogun politik.

“Ata që humbën ishin fjalori i helmuar dhe vulgariteti. U bë e qartë se shoqëria e vërtetë është diku tjetër dhe jo në mikrokozmosin helmues të medieve të rrjeteve sociale”, tha ai.

I pyetur për të komentuar për opozitën, ai shprehu shpresën që partitë të flasin më shumë për programet partiake dhe problemet reale të njerëzve përpara balotazhit të 25 qershorit.

”Do të votojmë për qeverinë, jo për opozitën. Çfarë ndodh në opozitë është punë e SYRIZA-s, Aleancës Progresive dhe PASOK-ut dhe KINAL-it. Dëshiroj të shpreh shpresën që në këtë periudhë zgjedhore të flasim më shumë për politikat, për problemet reale me të cilat përballen qytetarët. Çdo qytetar që voton DR-në nënshkruan një kontratë përgjegjësie me mua”, vuri në dukje Mitsotakis, duke shtuar se sa më e madhe të jetë diferenca e fitores në votime, aq më e rëndë do të jetë edhe përgjegjësia.

Mitsotakis foli edhe për marrëdhëniet greko-turke dhe tha se nuk shqetësohet për zgjedhjet në vendin fqinj.

Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të marrëdhënieve, pretendimet bazë territoriale nga Turqia nuk kanë ndryshuar.

“Asnjë kryeministër grek – dhe sigurisht jo unë – nuk do të diskutojë çështjet e çmilitarizimit të ishujve, veçanërisht çështjet që lidhen me sovranitetin e ishujve të Egjeut Lindor. Këto janë përtej diskutimit”, tha ai, ndërsa shtoi se nëse bëhej kryeministër përsëri, do të kërkonte të takohej me presidentin turk Recep Tajip Erdogan në samitin e NATO-s në mes të korrikut, me kusht që ky i fundit të fitonte balotazhin e zgjedhjeve më 28 maj.