Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis është zotuar të premten se Qeveria e tij do të bëjë “gjithçka që mund të bëjë njeriu” për t’i ndihmuar rajonet e goditura nga përmbytjet, teksaka parë nga afër shkatërrimin në Karditsa.
Një stuhi e fuqishme ka goditur qendrën e Greqisë këtë javë, e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm.
Greqia është përballur me këtë situatë, ndërsa ka qenë duke tentuar të rimëkëmbet nga sezoni i zjarreve të verës.
Meteorologët kanë thënë se sasia e reshjeve këto ditë ka qenë e pashembullt – mbi 700 litra për metër katrorë në më pak se 24 orë.
Shkalla e shkatërrimit besohet se ende nuk është vlerësuar saktë.
“E kuptoj zemërimin”, ka thënë Mitsokatis, duke iu referuar kritikave që Qeveria ka dështuar që t’i parashikojë vërshimet dhe të përgjigjet më shpejt.
Ai ka thënë se prioritet është shpëtimi i të gjithë atyre që janë në rrezik, sidomos atyre që jetojnë në fshatra, të cilat janë përmbytur nga uji prej disa ditësh.
Pronarët e shtëpive dhe bizneseve të shkatërruara duhet të marrin ndihmë sa më shpejt që është e mundshme, ka thënë mes tjerash kryeministri grek.
“Ne do t’i gjejmë paratë, qofshin të shtetit apo fonde evropiane”.