Pediatrët dhe stomatologët në Britaninë e Madhe kanë kërkuar që qeveria të vendosë kufij kombëtarë të detyrueshëm për sasinë e kripës dhe sheqerit që përdoret në ushqimin e fëmijëve.
Ata kanë thënë se është një “turp kombëtar” që foshnjat përballen me një “zhytje ushqimore” me disa produkte që përmbajnë më shumë sheqer sesa një pije freskuese me gaz.
Ata përmendnë disa ushqime që përmbajnë deri në dy të tretat e sheqernave të rekomanduara ditore nga të rriturit, gjë që e vë në rrezik shëndetin e brezit të ardhshëm.
Thirrja për një veprim më të madh për shëndetin e fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar u bënë jehonë edhe nga ish-kancelari konservator George Osborne dhe ish-kryeministri laburist Tony Blair.
Alarmi është ngritur pasi vitet e fundit është vënë re një rritje e rasteve me mbipeshë te fëmijët në Britani, ku shifrat thonë se, një në tre të rinj janë mbipeshë deri në kohën kur ata lënë shkollën fillore.
Disa ish-konservatorë të vjetër i janë bashkuar gjithashtu thirrjes që qeveria të ndërmarrë veprime më të mëdha për obezitetin e fëmijëve. Osborne tha gjithashtu se duhet bërë më shumë për të trajtuar shkaqet e obezitetit, duke e quajtur mungesën e progresit zhgënjyes.
Ushqimi i pasur me yndyrë, sheqer dhe kripë, ishte vendosur të përjashtohej nga reklamat televizive dhe në internet para orës 21:00 deri në tetor 2022, sipas një strategjie kundër mbipeshës, kryesisht të futur nga ish-kryeministri Boris Johnson.
Por këtë muaj, u zbulua se qeveria i ka shtyrë kufizimet në tetor 2025 për t’u dhënë firmave më shumë kohë për të riformuluar produktet e tyre dhe për të rregulluar strategjitë e tyre të marketingut.
Ndërkohë, Tony Blair, tha se ai mbështeti thirrjet për veprim më të madh të qeverisë për shëndetin e fëmijëve.
“Kjo është absolutisht thelbësore. Sinqerisht, nuk mendoj se ka diçka më të rëndësishme për të ardhmen e vendit, por të sigurohemi që të merremi me këtë, me arsimimin dhe mirëqenien e viteve të hershme. Dhe veçanërisht sot kur presionet mbi familjet janë të mëdha dhe kur ka nivele të varfërisë që realisht nuk i kemi parë në vend për një periudhë të gjatë kohore”, tha Blair.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që foshnjat të kenë minimalisht ose aspak sheqerna në dietën e tyre. Një sasi e lartë e konsumit të sheqerit konsiderohet si një nga faktorët që kontribuon në obezitetin e fëmijëve.
Të qenit i shëndoshë mund të sjellë një sërë problemesh shëndetësore si diabeti i tipit 2, astma dhe presioni i lartë i gjakut. Po ashtu mbipesha ndikon në prishjen e dhëmbëve, me kalbjen e dhëmbëve.
Të dhënat më të fundit për obezitetin e fëmijërisë për Anglinë zbuluan se në nivel kombëtar, një në 10 të rinj klasifikohen si obezë. Por normat janë shumë më të larta në disa pjesë të vendit.