Bota Mjekët: Presidenti Trump mund të dalë nga spitali të hënën

Mjekët: Presidenti Trump mund të dalë nga spitali të hënën

Mjekët thanë të dielën se gjendja e Presidentit Donald Trump po përmirësohet, ndërsa ai trajtohet për COVID-19 në një spital ushtarak dhe se presidenti mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë që të hënën, ku mjekimi do të vazhdojë.

Mjekët që po kurojnë Presidentin Trump thanë se i kishin dhënë atij oksigjen plotësues dy herë, të enjten dhe të premten, në betejën me sëmundjen. Ekipi mjekësor tha se po i monitoron gjendjen e mushkërive, por nuk pranuan të japin hollësi se çfarë kanë parë.

Ata thanë se i kishin dhënë gjithashtu Presidentit Trump dexamethasone. Ky ilaç rezulton nga studimet se përmirëson gjendjen e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19, të cilët kanë nevojë për oksigjen shtesë.

Por, sipas udhëzimeve të Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës, ai nuk duhet të jepet për raste të lehta, pasi mund të kufizojë aftësinë e trupit për ta luftuar vetë virusin.

“Fakti është se Presidenti po përparon vërtet mirë“, u tha gazetarëve Dr. Sean P. Conley në Qendrën Mjekësore Kombëtare të Ushtrisë, Walter Reed, ku është duke u trajtuar Presidenti Trump.

Mjekët thanë se Presidenti Trump nuk ka patur ethe që nga e premtja dhe se funksionet e mëlçisë dhe veshkave janë normale, pas dozës së dytë të Remdesivirit, një ilaç antiviral i nxjerrë në treg nga Gilead Science Inc, që është provuar se e shkurton qëndrimin në spital për pacientët me COVID-19.

Dr Brian Garibaldi tha se Presidentit Trump iu dha dexamethasone në përgjigje të “niveleve të ulëta kalimtare të oksigjenit”. “Ai e mori dozën e parë dje dhe plani ynë është që t’ia vazhdojmë”, tha Dr. Garibaldi.

Presidentit Trump po i bëhet gjithashtu një trajtim eksperimental me REGN-COV2 të firmës Regeneron, si dhe po i jepet zink, Vitaminë D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë, thanë mjekët.

Presidenti postoi të shtunën mbrëma një video nga spitali, ku thoshte se kishte filluar të ndihej më mirë dhe se shpresonte të “kthehej së shpejti”.

Zëri i presidentit tingëllonte pak i ngjirur video, por ai dukej në humor të mirë. Ai tha se po luftonte për miliona njerëz në mbarë botën që kanë patur virusin.

Ai tha se mund të kishte qëndruar në Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur veten, por si president nuk mund t’ia lejonte vetes të “mbyllej në dhomën në katin e sipërm”.

Presidenti falenderonte në video ekipin mjekësor që po e trajton si dhe udhëheqësit botërorë që i kanë dërguar urime.