Të infektuarit nga koronavirusi me simptoma të lehta dhe të mesme mund të trajtohen në shtëpi por gjithmonë duke u ndjekur nga mjeku i familjes, ndërsa rastet që kanë nevojë për oksigjen duhet patjetër të drejtohen në spital. Mjekja infeksioniste Entela Ramosaco tregon se disa paciente kanë tendencë të qëndrojnë në shtëpi dhe kur nivelet e oksigjenit kanë rënë.
“Trajtimi me oksigjeno-terapi kur e sheh që situata nuk po shkon mire sigurisht që është mjaft i rrezikshëm pasi kemi parë që të sëmurë të tillë agravojnë me orë. Edhe ne nuk ndihemi mirë që pacient të vij me saturime të ulëta, të rrezikshme sepse me pas ecuria drejt procedurave me invazive me oksigjeno-terapi do të jete me e shpejtë, pacienti do futet në terapi intensive ose sub intensive. Shpesh herë kur pacientet vijnë vonë dhe intubohen vonë, mund të mos këtë më rezultat”, thotë mjekja për Tv Klan.
Mjekët thonë se për një person të infektuar nga koronavirusi java e dytë është vendimtare për të përcaktuar ecurinë e sëmundjen ndaj dhe alerti duhet të jetë shumë më i madh.
“Disa nga faktorët që tregojnë se sëmundja s’po ecën mirë është temperatura e lartë, lodhja e madhe, djersitja, dhe veçanërisht oksigjeni nëse bien nen 93 duhet kërkuar ndihme mjekësore”.
Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 316 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Në të gjithë vendin gjenden mbi 23 500 persona të prekur me koronavirus prej të cilëve më shumë se 13 mijë janë vetëm në Tiranë. Ndërkohë qarku më pak i prekur mbetet Dibra me vetëm 380 raste pozitive.