Mjeku Edvin Prifti paraqiti të mërkurën ankimimin e tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për ndryshim të masës së sigurisë, por jo vetëm.
Përveç ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest në burg, në detyrim paraqitje, mjeku kërkon t’i kthehen paratë e sekuestruara. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit theksohet se pasuria e mjekut Edvin Prifti është e ligjshme, se paratë e gjetura në banesë janë të bashkëshortes së tij.
Avokati i mjekut sqaron se ai nuk ka bërë përpjekje për ta fshehur shumën e gjetur në banesë dhe në zyrë.
Mjeku kërkon që bashkëshortes së tij Enida Prifti t’i kthehen paratë e sekuestruara në çantën e tij dhe në banesë, sepse nuk janë prova materiale ose sende që lidhen me veprat penale për të cilat ai hetohet, por pjesërisht pasuri e ligjshme që buron nga një marrëdhënie juridike civile dhe diferenca eventuale, kursime familjare, për të cilat nuk ka pengesë ligjore të mbahen në banesë.
Po ashtu, Prifti kërkon që t’i hiqet pezullimi nga detyra, në pezullim nga detyra vetëm për spitalet shtetërore.
Një ditë më parë, teksa depozitoi kërkesën në Apel, avokati i tij tha se klienti i tij nuk përbën ndonjë rrezik për të prishur provat, prandaj nuk ka pse të qëndrojë në qeli.
Për kardiokirurgun janë duke u bërë hetime të tjera nga SPAK, ku janë sekuestruar disa shënime në zyrën e tij. Gjithashtu do të kalojnë në sitë edhe llogaritë bankare, pas akuzës për pastrim parash.
Mjeku Edvin Prifti akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, pasi në banesë dhe në zyrë iu gjetën 250 mijë euro dhe 160 milion lekë të vjetra. Emri i tij u përmend nga Sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakucu, e cila pretendon se i ka dhënë 2 mijë euro ryshfet për t’i operuar të ëmën pa radhë.