Shqipëria vazhdon të shënojë numër të lartë të të infektuarve me koronavirus, që pas rihapjes së madhe në 1 qershor.
Në lidhje me këtë situatë konfuze të Covid në vend dhe çfarë thuhet në studimet më të fundit shkencore nga ekspertët e shëndetit, gazetari Endri Xhafo zhvilloi një bisedë në studio me imunologun Prof. Genc Sulcebe, për të sjellë një panoramë më të qartë në lidhje me të rejat që sjell shkenca.
Prof. Sulçebe gjatë bisedës në studion e ABC News u shpreh për rrezikun e infektimit dhe në cilat ambiente jemi më të rrezikuar nga Covid.
Sipas Sulçebe, efektiviteti i virusit është ende i lartë, por se infektimi nuk ndodh në ambiente të hapura apo plazhe, por në ambiente të mbyllura me temperaturë të ulët.
A ka një shpjegim shkencor për sjelljen e virusit i cili në fillim u mendua se do të kishte sjellje sezonale dhe në verë do të zbehte efektin e tij, ndërkohë që shohim se kemi shpërthime të virusit?
Është e vërtetë që të gjithë viruset sezonale janë të shprehur në periudha të ftohta. Ndërsa në të nxehtë zhduken, e njëjta gjë pritej dhe me Covid-in, por kjo gjë nuk u vërtetua.
Kjo mesa duket tregon se kemi të bëjmë me një virus që efektiviteti i tij është i lartë. Pra ka një qëndrueshmëri me sa duket më të lartë.
Por duhet të dimë se infektimi nuk ndodh në rrugë, në plazh, por ndodh në ambiente të mbyllura, të cilat në verë janë me ajër të kondicionuar.
Nuk besoj se nëse dalim sot në 35 gradë rrezikojmë, por në ambiente të mbyllura rreziku është më i lartë.