Një 25-vjeçar, i kërkuar nga autoritetet e drejtësisë spanjolle, si pjesëtar i një grupi kriminal që operonte në fushën e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit është arrestuar nga një operacion i FAST Albania.
I riu nga Dibra u arrestua në Tiranë dhe pritet të ekstradohet drejt Spanjës për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të.
25-vjeçari akuzohet për veprat penale “Trafik droge”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë e spanjollë, merrnin shtëpi me qera në zonën e Castellonit dhe i përshtatnin për të kultivuar bimë narkotike me anë të llambave.
“Bazuar dhe në inteligjencën policore, njësia FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale në DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Castellon 2”, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimin drejt Spanjës të shtetasit : G. S., 25 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër”, njofton policia.