Nga dita e sotme, Rusia nis një mobilizim të pjesshëm ushtarak. Kështu u shpreh presidenti rus, Vladimir Putin në një fjalim drejtuar kombit në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Në deklaratën e tij, Putin akuzoi Kievin se po tërhiqej nga bisedimet e paqes, duke vepruar me urdhër të drejtpërdrejtë nga aleatët perëndimorë.
“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, vetëm qytetarët që janë aktualisht rezervistë do t’i nënshtrohen rekrutimit dhe mbi të gjitha ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë një specialitet të caktuar ushtarak dhe përvojë përkatëse.
Në vend të negociatave, qeveria ukrainase ka forcuar ushtrinë e saj me trupa të trajnuara nga NATO, shumë prej të cilëve janë ekstremistë neonazistë”, u shpreh Putin.
Ai theksoi se do të mbështesë referendumet në rajonet e Ukrainës dhe çdo prekje e tyre do të çonte në një përshkallëzim të luftës.
Më tej, lideri rus nuk harroi të akuzonte Perëndimin se ka për qëllim që të shkatërrojë Rusinë dhe se po i përdor ukrainasit si “mish për top”.
Ai shtoi se vendet perëndimore po e tregojnë nga dita në ditë se nuk duan paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi. Ky nuk është një blof. Integriteti territorial i atdheut tonë, pavarësia dhe liria jonë do të sigurohet, e përsëris me të gjitha mjetet që kemi. Ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore duhet të dinë se erërat mund të kthehen në drejtimin e tyre”, tha mes të tjerash Putin.