Në datën 2 Mars është parashikuar që të mbahet mocioni me debat në seancë plenare me kryeministrin e vendit Edi Ramën për çështjen “McGonigal”.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur se çdo deputet do të ketë 10 minuta për të folur në seancën plenare.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Balla ka deklaruar se grupi parlamentar i PS-së mezi po e pret këtë mocion me debat për të komunikuar me publikun disa të vërteta të mëdha.
“Shpresoj që të gjitha partitë politike duhet të kuptojnë se Kuvendi është vendi i debatit dhe foltorja nuk duhet të mbahet peng. Në këtë këndvështrim, ditën e enjte më 2 Mars ne kemi përcaktuar me vendim të seancës së Kuvendit, mbajtjen e një mocioni me debat. Të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten për këtë debat për ta shfrytëzuar këtë moment, komunikimin me qytetarët shqiptarë dhe besoj të mos gjendemi me kërkesa të tjera që pengojnë mbajtjen e këtij mocioni me debat.
Çdo deputet do të ketë 10 minuta që është koha maksimale. Këtu kemi të bëjmë me bashkim të disa kërkesave. 24 orë janë mjaftueshëm për çdo deputet ta ushtrojë kohën. Grupi parlamentar i PS mezi po e pret zhvillimin e mocionit me debat për të komunikuar me publikun disa të vërteta të mëdha. Data 2 është një seancë e përcaktuar me një pikë të vetme të rendit të ditës dhe e vetmja çështje e rendit të ditës është mocioni me debat”, tha Balla.