Droga dhe alkooli janë dy fenomene që janë kthyer në një plagë sociale në të gjithë vendet e Europës
Por Islanda, ja ka arritur për bukuri që ta zvogëlojë këtë fenomen duke përdorur një metodë të sajën.
Islanda ishte një nga shtetet më problematike në Evropë për këto çështje, para se të paraqiste masa sistematike të kujdesit për të rinjtë.
Përqindja e 15-vjeçarëve dhe e 16-vjeçarëve të saj që konsumonin alkoolin në vitin 1998 ishte 42%, ndërkohë në vitin 2016 kjo përqindje ishte vetëm 5%.
Përqindja e të rinjve që përdornin marihuanën në të njëjtën periudhë ra nga 17% në 7%. Në rastin e pirjes së duhanit, në të njëjtën periudhë konsumi i cigareve ra nga 23% në vetëm 3%.
Inga Dóra Sigfúsdóttir, një studiuese në Universitetin e Islandës, është ajo që hartoi strategjinë e kësaj ndërmarrjeje shumë të rëndësishme.
Ajo thekson se ata bënë një studim të veçantë të kryer në vitet 1992, 1995 dhe 1997, ku nxorën disa gjetje mbi kërkesat e grupmoshave 14-16 vjeç që përdornin drogën, duhanin dhe alkoolin.
Kryetari i Komunës së Rekjavikut ishte i interesuar për ta zbatuar projektin dhe loboi në krijimin e Planit Kombëtar për Përmirësimin e Jetës së Rinisë, i quajtur “Rinia në Islandë”.
Plani kombëtar u krijua në bazë të të dhënave nga hulumtimi i mësipërm. Pas miratimit të planit kombëtar, ai nisi zbatimin. Tiparet e këtij plani ishin se ai nuk drejtohej nga shteti, por menaxhimi i programeve u krye nga bashkitë.
U ndryshuan drastikisht disa ligje. U bë e paligjshme për të blerë cigare nga ata që ishin nën moshën 18 vjeç dhe alkooli nën 20 vjeç.
Ligji ndaloi qëndrimin e fëmijëve ndërmjet 13 dhe 16 vjecc jashtë shtëpisë pas orës 22:00 në dimër dhe në verë pas mesnatës.
Marrëdhënia midis prindërve dhe shkollave u forcua ligjërisht nga krijimi i organizatave të prindërve në secilën shkollë.
Shteti rriti ndjeshëm financimin e llojeve të ndryshme të aktiviteteve rekreative, me qëllim krijimin e një qasjeje të organizuar ndaj aktiviteteve pozitive të fëmijëve.
Ky fond përfshiu ndihmë për të varfërit që merrnin fonde të posaçme për të financuar aktivitetet e fëmijëve.
OJF të ndryshme merrnin fonde nga shteti për të ndihmuar krijimin e një klime afrimi mes mësuesve dhe prindërve të nxënësve.
Si rezultat i këtij programi, në periudhën 1997 – 2012, grupmosha 15-16 vjeç dyfishoi numrin e atyre që kalojnë fundjavat e tyre me prindërit nga 23% në 1997 në 46% në vitin 2012.
Përqindja e fëmijëve në këtë grupmoshë që kaluan kohën e tyre në aktivitete sportive u rrit nga 24% në vitin 1997 në 42% në vitin 2012.
Ky është një shembull i futjes së sistemit të parandalimit si një masë efikase.
Më mirë investojmë në parandalimin e fenomenit sesa të kurojmë pasojat.