Intervistë për gazetën Dielli e Florenc Drizarit, gazetar në Stokholm, Suedi, dhënë gazetarit Sokol Paja
Suedia ishte i vetmi shtet europian që ndoqi një rrugë ndryshe nga shumë shtete të tjera në Evropë dhe në botë duke i thënë jo masave të forta shtrënguese për sa i përket kufizimit të lëvizjes së njerëzve, bllokimit të kufinjve, apo mbylljes së shumë bizneseve, shkollave, kopshteve etj. Ndër masat që shteti suedez mori për të menaxhuar problematikat e Covid-19 ishin: mbështetje të bizneseve dhe personave që humbën vendet e punës, u ndalua grumbullimi i më shumë se 50 persona në një vend të caktuar, u ndaluan vizitat në shtëpitë e të moshuarve, mediat u mbështetën me një paketë ekonomike të posaçme, higjienë personale e lartë, distancim fizik i detyruar, shmangie e udhëtimeve të panevojshme, mbështetje financiare ndaj komunave për sigurimin e rreth 20 mijë vende pune sezonale për të rinjtë etj. Shqiptarët në Suedi nuk janë në grupin e më të prekurve nga koronavirusi. Suedia është një vend që ofron informacion të detajuar rreth krizës në disa gjuhë të huaja, megjithëse shqipja ende nuk është një ndër to. Po ashtu Shqipëria nuk është në listën e vendeve që qeveria suedeze nuk rekomandon të udhëtosh, paçka se Shqipëria vetë i ka mbyllur kufinjtë e saj.
Z. Drizari si po trajtohet situata e koronavirusit në Suedi?
Situata është serioze, por jo në atë nivel sa të ketë vend për panik. Ekspertët vazhdojnë të japin rekomandimet e tyre dhe nga ana tjetër qeveria i mbështet me vendimet e saj. Autoritetet këtu po menaxhojnë situatën duke u përpjekur të kufizojnë përhapjen e virusit COVID-19, duke mbrojtur grupet që janë në risk si të moshuarit, të sëmurët kronikë etj. Numri i testimeve në vend është rritur dhe aktualisht ndodhen më pak persona nën kujdes intensiv në spitale krahasuar me ditët e mëparshme. Në momentin që po flasim 2355 persona kanë humbur jetën si pasojë e prekjes nga koronavirusi. Pjesa më e madhe e tyre, pra rreth 65 për qind janë të moshës mbi 85 vjeç. Sipas epidemiologut të shtetit, Anders Tegnell, numri i vdekjeve nga koronavirusi ka ardhur në rënie. Ndërsa rajoni më i prekur në Suedi është Stockholmi. Mediat lokale raportojnë se rreth 30 për qind e banorëve të Stockholmit pritet të jenë prekur nga koronavirusi në fillim të muajit maj, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre mund ta kanë kaluar virusin pa pasur simptoma të dukshme. Kjo tregon se kryeqyteti pritet ta arrijë i pari të ashtuquajturin ”imunitet i tufës”. Por një gjë që duhet theksuar sipas ekspertëve është se ndryshe nga sa flitet dhe shkruhet sot në shumë media të ndryshme të botës,” imuniteti i tufës” nuk është qëllimi në vetvete i Suedisë, por është pasojë e përhapjes së virusit. Duhet thënë se Suedia ka një sistem të mirë shëndetësor dhe autoritetet kanë në kontroll përballimin e fluksit të të prekurve në spitale.
Çfarë masash ka marrë shteti suedez në betejën me Covid-19?
Ashtu siç dihet Suedia ndoqi një rrugë ndryshe nga shumë shtete të tjera në Evropë dhe në botë duke i thënë jo masave të forta shtrënguese për sa i përket kufizimit të lëvizjes së njerëzve, bllokimit të kufijve, apo mbylljes së shumë bizneseve etj. Një nga vendimet e para këtu ishte informimi i popullsisë mbi rreziqet e pandemisë. Më pas ndoqën një sërë masazh në mbështetje të bizneseve dhe personave që humbën vendet e punës. U ndalua grumbullimi i më shumë se 50 persona në një vend të caktuar dhe në fillim të muajit prill, u ndaluan vizitat në shtëpitë e të moshuarve, universitetet dhe gjimnazet vazhduan mësimin on line, ndërsa kopshtet dhe çerdhet ishin të hapura çdo ditë. Përveç masave të marra për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbështetjen e ekonomisë, është miratuar edhe një paketë që mbështet mediat. Gjithashtu është bërë thirrje vazhdimisht që të ndiqen rekomandimet e ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik për rregullat e higjienës, distancimit fizik dhe shmangien e udhëtimeve të panevojshme. Një ndër masat e fundit që është marrë nga qeveria është rritja e mbështetjes financiare ndaj komunave për sigurimin e rreth 20 mijë vende pune sezonale për të rinjtë.
Si paraqitet situata e shtetasve shqiptarë në Suedi?
Është vështirë të flasësh për të dhëna zyrtare tani se sa shqiptarë janë prekur me COVID-19 dhe sigurisht që ato do të vijnë në kohën e duhur. Por shqiptarët duket se nuk janë në grupin e më të prekurve nga koronavirusi. Suedia është një vend që ofron informacion të detajuar rreth krizës në disa gjuhë të huaja, megjithëse shqipja ende nuk është një ndër to. Po ashtu Shqipëria nuk është në listën e vendeve që qeveria suedeze nuk rekomandon të udhëtosh, paçka se Shqipëria vetë i ka mbyllur kufijtë e saj. Nga kontaktet që kam këtu dhe nga rrethi shoqëror asnjë nuk e ka humbur vendin e punës si pasojë e gjendjes së krijuar nga koronavirusi. Disa prej të njohurve kanë zgjedhur të punojnë nga shtëpitë e tyre dhe pjesa më e madhe vazhdon punën normalisht. Gjithashtu ka raste të personave që kanë ardhur për të vizituar të afërmit të tyre në Suedi dhe janë bllokuar nga anulimi i fluturimeve dhe mbyllja e kufijve në shumë vende të Evropës. Por nga një marrëveshje midis dy vendeve në muajin mars qeveria suedeze u ka dhënë mundësinë atyre shqiptarëve që janë prekur nga kjo situatë të zgjasin afatet e tyre të qëndrimit duke aplikuar para skadimit të afatit 90 ditor. Por dua të theksoj se kjo është një situatë që nuk ka prekur vetëm shqiptarët. Një koleg suedez para disa ditësh më tregoi se anuloi prenotimin e tij për të vizituar Shqipërinë për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19. Pra, në kohën që ende nuk kemi shifra zyrtare se sa është numri i këtyre anulimeve ndërkohë që numri i turistëve thuhet se ka ardhur në rritje nga viti në vit, vetëm mund të hamendësojnë për pasojat ekonomike në Shqipëri në muajt e ardhshëm, sepse dihet që turizmi është një degë shumë e rëndësishme e ekonomisë atje.
Çfarë mesazhi keni për bashkatdhetarët dhe lexuesit e Diellit në SHBA?
Situata është e ndryshme në vende të ndryshme dhe për këtë nuk jam i sigurt nëse aty do të shkonte më mirë modeli suedez apo jo, kjo edhe për faktin se çdo shtet përpiqet të bëjë më të mirën për qytetarët e tij dhe nga një vend në tjetrin ndryshojnë shumë gjëra. Por të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale, të dëgjojnë ekspertët. Të tregohen të përgjegjshëm duke parandaluar përhapjen e virusit tek të afërm dhe persona të tjerë dhe të besojnë se kjo pandemi do të kalojë shpejt.