Shkarkimin e një presidenti nga ana e Kuvendit, ish-kreu i shtetit Alfred Moisiu nuk e konsideron një vendim aspak të lehtë. Teksa pritet që fjalën e fundit ta thotë Gjykata Kushtetuese, Moisu i përcjell një mesazh Ilir Metës.
“Parlamenti ka të drejtat e veta, ka argumentet e veta, të cilat i ka parashtruar. Sigurisht është hera e parë që ndodh por do të shikojmë çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Unë mendoj që ashtu sikurse e merr detyrën nga Kuvendi, edhe duhet ta dorëzosh kur vjen puna për t’u dorëzuar”, tha Moisiu për Klan News.
Për ish-presidentin Moisiu presidenti përfaqëson popullin e për këtë arsye propozon që edhe zgjedhja e tij të bëhet po nga populli.
“Politika shqiptare në 30 vite ka patur ulje dhe ngritjet e saj dhe sigurisht që praktika ka treguar se zgjedhja e presidentit si e bëjmë ne nuk është shumë e drejtë, presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Sigurisht që kushdo që populli do ta zgjedhë, mund të jetë politikan, por përgjegjësia është më e lartë për të përfaqësuar popullin e për të zbatuar atë që e detyron Kushtetuta”.
Për Alfred Moisiun presidenti duhet të jetë përfaqësues i unitetit, ndonëse si një ish-presidenti, i di vështirësitë e të qenit në krye të shtetit.
“Presidenti është ai që duhet të bashkojë kombin, është ai që përfaqëson unitetin e kombit dhe kushdo që merr përsipër këtë detyrë duhet ta zbatojë. Nuk është aq e lehtë, unë kam qenë vetë në këtë detyrë, pavarësisht se u zgjodha me konsensus dhe u mundova të ruaj këtë konsensus në marrëdhëniet me partitë”.
Pas vendimit të Kuvendit për të shkarkuar presidentin Ilir Meta, tashmë Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi shqyrtimin e kësaj çështje pas opinionit që do të marrë nga Komisioni i Venecias.