Histori “Moj e bukura More”, historia e këngës 600-vjeçare shqiptare

“Moj e bukura More”, historia e këngës 600-vjeçare shqiptare

Sipas filologut arbëresh, Dhimitër Kamarda, kënga e ka origjinën tek arbëreshët e Italisë, të cilët sipas studimit të tij, u detyruan të largohen nga toka greke duke lënë trojet e tyre në vendin e quajtur More.

More! Është një pasthirrmë?!…  një vajzë e bukur?!  Jo! More është Peloponezi i sotëm i Greqisë. Sipas një studimi të botuar në Itali në vitin 1886, nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda, More është një trevë e madhe, së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin dhe e kanë kthyer në Peloponezi. Kënga “O e bukura More” memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur. Sipas filologut arbëresh është një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

I vetmi dokument i kësaj kënge, është si material në librin e shkruar prej filologut, arbëresh Dhimitër Kamarda, i cili jetoi në vitet 1821-1882. Ai e ka botuar librin me titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Commprata sulla Lingua Albanese”, dhe është publikuar nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.” në vitin 1866.

Në këtë libër është publikuar për herë të parë teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip. Në libër sqarohet se teksti burimor popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe tekst original i këngës “O e bukura More”. Kjo këngë këndohet prej 600 vitesh dhe ka marrë më shumë përmasat e një kënge mërgimtarësh, e njohur dhe shumë e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitasit e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave.

O E BUKURA MORE

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Krishtin na kemi me ne

Oj e bukura More

Thell të plas, me lot ndër si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Shën Mërin kemi me ne

Oj e bukua More!

Thell të plas, me lot nder si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Petkat e të mirat tona

Na i lam te Korona

Papën na kemi me ne

Oj e bukura More!

Thell të plast, me lot ndër si

Na të lipisnjëm, Arbëri!

Malet tan me lis e driza

Të bukur sheshe me muriza

Të bukur kroje, të bukur gropa

Të bukur gjerdhe me fallopa!

Jemi e vemi ndë Itali

E më s’ju shomi me këta si!

Dherat të huaj hare s’kan

Se s’mbllin printët tan

Prindë, luftuat me thik më dor

Ndërpër shi e ndëpër bor

Ni ju lëm pa një qiri

E pa një vajim. Oj Arbëri!

Luajtim valle nd’atë More

Shtum kangjele ndë ato hje

Klisht e tona të bukuruara

Shpizit tona të nderuara!

Ni vjen Turku, Turku i zi

E tërpron klish e shpi

Qeti: Shihni jet e re,

Na tha Dorja, zoti Ndre,

Lipim qellnjëm ka do vemi

Se buartim mallin e s’e kemi

Me kët zemër, me këta si

Klajëm keq kët Arbëri!

Ndallandishe e ler e ler

Kur të vish ti njatër hjer

Vjen të vish ti te Korona

E s’gjën më shpit e tona!

Më së gjën trima hajdhjar

Po ngë një qen, çë kloft i vrar!

Kur u nistin gjith anit

E dherat tan iktin ka sit

Burrat gjith me një vajtim

Thirrtin grat me një vajtim,

Dil e hana ti, Stihji!

Oj More! Oj Arbëri!