Kryesore “Moment kritik i pandemisë”, Meta: Testimi masiv, mundësia e vetme për të...

“Moment kritik i pandemisë”, Meta: Testimi masiv, mundësia e vetme për të vendosur kontrollin

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se në këtë moment kritik të përhapjes së pandemisë, është jetike të shtohet masivisht numri i testimeve.

Ai tha se testimi është mjeti tepër efikas për diagnostifikimin, gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.

“Testimi është mundësia e vetme për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19. Si hap i parë, duhet të testohen menjëherë: Të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në sistemin e shëndetësor, parësor dhe spitalor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19. Të gjithë arsimtarët, në çdo nivel, për shkak se testimi dhe gjurmimi pasues i rasteve të tyre lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve tanë. Të gjithë të moshuarit e vetmuar, të cilët jetojnë të shtëpitë e kujdesit social. Të gjithë qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese”, tha ai.

Po ashtu, Meta shtoi se “për të gjitha këto kategori është tepër e nevojshme, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera, të nisë menjëherë edhe vaksinimi me vaksinën e gripit stinor”.

“Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan urgjent, transparent dhe i monitorueshëm në çdo moment. Pandemia mund të vihet nën kontroll dhe jetët e qytetarëve mund të shpëtohen. Çdo ç’organizim, mosfinancim dhe mosveprim sjell pasoja fatale përditë. Shkenca ka folur. Koha për të vepruar nuk pret më”, përfundoi Meta.