Sport Momente paniku për Elseid Hysaj, bllokohet brenda Ferrarit teksa mjeti shpërtheu në...

Momente paniku për Elseid Hysaj, bllokohet brenda Ferrarit teksa mjeti shpërtheu në flakë

Sikur të mos mjaftonte situata brenda fushave të lojës, Elseid Hysaj po kalon një moment negativ edhe jashtë saj. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka parë tmerr me sy, pasi makina tip Ferrari e tij mori flakë papritur.

Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, futbollisti i Lazios dhe vjehrri i tij u bllokuan brenda mjetit gjatë momentit kur ajo u përfshi nga flakët, teksa jashtë saj gjendej bashkëshortja e shkodranit.

Për disa çaste, Hysaj dhe vjehrri i tij nuk po arrinin të dilnin, pasi dyert u mbyllën në mënyrë automatike. Por, për fat të mirë kjo ngjarje kaloi pa pasoja për mbrojtësin, teksa makina u shkrumbua totalisht. Në prononcimin për mediat italiane, Hysaj ka pranuar se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një difekt i fabrikës në momentin e prodhimit.

Kosto e mjetit të shkodranit kap vlerën e 160 mijë eurove, por për fatin e mirë pa pasoja për 30-vjeçarin. Elseid Hysaj është stërvitur normalisht me skuadrën italiane që prej kësaj ngjarjeje, me të cilët ka një kontratë deri në verën e vitit 2025.