Bota “Momenti i rrezikut maksimal”, fjalimi i parë i Boris Johnson pas rikthimit...

“Momenti i rrezikut maksimal”, fjalimi i parë i Boris Johnson pas rikthimit në detyrë

Mbretëria e Bashkuar është në momentin e rrezikut maksimal në shpërthimin e koronavirusit, ndaj qytetarët duhet të bëjnë durim në respektimin e rregullave te vendosura për bllokimin dhe kufizimet.

Kështu ka deklaruar kryeministri Boris Johnson në fjalimin e parë që mbajti me rifillimin e punës, një muaj pasi u trajtua dhe u shërua nga koronavirusi.

Duke folur për herë të parë që nga shërimi nga virusi, Johnson tha “Kurba e epidemisë së koronavirusit të ri ka filluar të ulet në Britaninë e Madhe, por britanikët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat për të shmangur një rritje të shpejtë”, raporton BBC.

Ai deklaroi qartë se refuzon të hedhë poshtë gjithë përpjekjen e bërë nga qytetarët lidhur me kufizimet dhe bllokimet e deritanishme, duke rrezikuar hapje të pamenduar.

Ai kërkoi ndjesë që ishte aq larg punës për kaq ditë me radhe. “Kërkoj falje që isha larg tryezës sime të punës për më shumë gjatë se sa do të doja” dhe falënderoi koleget për angazhimin dhe po ashtu edhe qytetaret për zbatimin e rregullave.

Në fjalimin e mbajtur këtë mëngjes Johnson tha se ai i kupton shqetësimet nga pronarët dhe bizneset që janë të paduruar dhe duan të marrë fund bllokimi. Por sipas tij, një masë e tille mund të çojë në një goditje të dyte nga vrasësi i padukshëm dhe kjo mund të shkaktojë më shumë vdekje.

“Unë kërkoj nga ju që të keni durim”, tha ai, duke shtuar se “ka shenja të qarta se tashmë po kalohet piku, pasi ka me pak të shtruar në spitale e më pak pacientë me Covid-19 në kujdesin intensiv”.