Polemikat mes Antonio Contes dhe Andrea Agnellit në ndeshjen Juventus-Inter kanë tërhequr vëmendjen, pasi kanë qenë një imazh i keq për futbollin italian, ndërsa së fundi për rastin në fjalë ka folur edhe ish presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti.
“Një ndryshk i vjetër, që del pikërisht tani. Nuk ishte një episod për t’u vlerësuar, por mund të ndodhë dhe pa tifozë në stadium, evidentohet edhe më shumë. Personalisht nuk kam sharë asnjëherë një trajner të Juventusit gjithsesi”, u shpreh Moratti.
Ish-presidenti i Interit hodhi poshtë mundësinë e një rikthimi në krye të zikaltërve, tani që grupi Suning po punon për shitjen e aksioneve dhe foli edhe për marrëdhëniet mes Gattusos e presidentit De Laurentiis.
“Nuk jam gati për të riblerë aksionet e Interit, kështu që nuk mund të flitet për rikthim. Me Napolin kemi pasur shumë rivalitet, por unë kam pasur vazhdimisht simpati për ta. Nuk i di raportet mes De Laurentiis e Gattusos, por njoh personalisht këtë të fundit dhe di që është një person fantastik. Megjithatë presidenti është ai që i sheh gjërat më mirë dhe vlerëson disa aspekte para se të marrë një vendim”, tha ish-numri 1 i klubit të Interit.