Uniformat blu kanë arrestuar dy persona të cilët morën me forcë një 22-vjeçar dhe i hoqën lirinë duke e mbajtur në një automjet.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit se 2 shtetas kishin marrë me forcë, në automjet, një 22-vjeçar, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të shpejta të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, janë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit:
-A. C., 18 vjeç, dhe A. D., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.
Rrëmbimi i të riut ka ardhur pas një gërvishtje makinash. Dy të arrestuarit janë konfliktuar fizikisht pasi i kanë kërkuar 22-vjeçarit një shumë prej 30 mijë Lekësh të reja për të rregulluar makinën e tyre.
I riu ka refuzuar t’ua japë shumën e parave dhe ata e kanë dhunuar e mbajtur pa dëshirën e tij në makinën e tyre dhe nën presion i kanë marrë paratë. Materialet i kaluan Prokurorisë.