Me vendim të Gjykatës së Fierit, janë konfiskuar katër apartamentet dhe një automjet që ishin në pronësi të tre personave që janë përfshirë në një rrëmbim të ndodhur në Greqi 9 vjet më parë.
Bëhet fjalë për prona të Çerçiz Agallija, 37 vjeç, Klodjan Lamaj, 32 vjeç dhe Mariglen Hamataj, 29 vjeç. Të tre këta të rinj akuzohen se kanë rrëmbyer një mjek në Greqi në maj 2011, duke detyruar familjarët e tij që t’u paguanin një shumë prej 1.3 milionë euro në këmbim të lirimit të tij.
Katër apartamentet rezultojnë se janë blerë në zonën e plazhit në Durrës pak kohë pas peng marrjes, konkretisht në datat 13-20 qershor 2011. Ndërsa disa javë më pas, tre të rinjtë nga Fieri u arrestuan në tentativë për të hyrë në Bullgari.
Pronat e katër të rinjve fillimisht janë sekuestruar me vendim gjykate në shtator të vitit 2011. Bashkë me apartamentet dhe makinën, gjithashtu u sekuestrua dhe një shumë prej 17.5 milionë lekë të reja. Sipas përllogaritjeve, vlera e apartamenteve dhe makinës arrin në 200 mijë euro në total.
“Apartamentet e konfiskuara dyshohet se janë përftuar nga shtetasit e mësipërm nëpërmjet veprimtarisë kriminale në shtetin grek, ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 02.05.2011, kanë rrëmbyer një shtetas grek, pronar i një shoqërie tregtare private, me qëllim përfitimi dhe u kanë marrë familjarëve të tij shumën 1 milion e 300 mijë euro. Vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtyre shtetasve, familjarëve apo dhe të personave të tjerë të lidhur me ta”, thuhet në komunikatën e Policisë së Fierit.
Pronat e konfiskuara:
– një apartament në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të Çerçiz Agallija, 37 vjeç, banues në Kraps, Fier.
– dy apartamente në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të Klodjan Lamaj, 32 vjeç, banues në Banaj, Fier.
– një apartament në lagjen nr. 13, Durrës dhe automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të Mariglen Hamataj, 29 vjeç, banues në Frakull, Fier.