Një ish-zyrtare e lartë bie në “rrjetën” e drejtësisë. Ish-zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë të SPAK pas hetimeve të kryera.
Sipas SPAK, ish-zv/ministrja Voda ka marrë para për të favorizuar emërimin në shërbimin civil të një punonjëseje të quajtur Florida Beu.
Në njoftimin e SPAK, thuhet se Rovena Voda ka marrë përfitime monetare dhe materiale nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu, me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm te zyrtarë të tjerë për të favorizuar në mënyrë të padrejtë emërimin në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive Florida Beun.
Ish-zv/ministrja Rovena Voda akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Edhe për dy gratë e sipërpërmendura, Majlinda Hasani dhe Florida Beu, gjykata ka vendosur arrest shtëpie për veprat penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim.
Mësohet se SPAK ka prova dhe përgjime ndaj ish-zv/ministres Vida. Hetimet për këtë dosje janë në vijim.