Kryesore “Mos bëni gabim të prekni kokainën”/ Dëshmia e vëllait zbuloi “motivin e...

“Mos bëni gabim të prekni kokainën”/ Dëshmia e vëllait zbuloi “motivin e pengmarrjes së Jan Prengës

Dëshmia e vëllait të Jan Prengës, i cili u mor peng në 17 janar në Kamëz, ka qenë thelbësore në zbardhjen e motivit të krimit. Sipas dosjes së prokurorisë, e siguruar nga A2, Anton Prenga, vëllai i të rrëmbyerit dhe zhdukurit, i ka thënë hetuesve se rrëmbimi i vëllait kishte ardhur si rezultat i vjedhjes së 260 kg kokainë në Angli.

Sipas Anton Prengës, vëllai i tij dhe disa persona të tjerë kishte grabitur ngarkesën e drogës, që e kishin nxjerrë nga porti i Portsmuthit me porosi të dy iranianëve dhe një britaniku. Disa ditë më vonë, Gentian Doçi, i shpallur në kërkim për ngjarjen, ka telefonuar vëllain tjetër të viktimës, duke i thënë “mos bëni gabim të prekin sasinë e kokainës, pasi janë gjërat e mia dhe duhet të mi ktheni mbrapsht”.

Në dëshminë e tij, Anton Prenga ka treguar bisedat e tij telefonike me Gramoz ose Dritan Rexhepajn, i burgosur në Ekuador, i dyshuar si porositës i pengmarrjes, para dhe pas rrëmbimit të vëllait. Në bisedat e para, Rexhepaj i ka dhënë besën për kthimin e pengut shëndoshë e mirë nëse kthehej droga. Por sipas dëshmitarit, edhe pasi vëllai i tij në Angli ktheu sasinë prej 106 kg kokainë si edhe 700 mijë paund, vëllai peng nuk ishte liruar.

Teksa pengu nuk po kthehej, Anton Prenga ka treguar se ka marrë një tjetër telefonatë nga Rexhepaj, i cili i ka thënë se ata personat i kishin dalë nga fjala dhe i ka rrëfyer emrat e pengmarrësve të vëllait, aktualisht të shpallur në kërkim nga policia./ A2