Kryesore “Mos besoni përralla me rekurs”, Bardhi fton demokratët të bashkohen, Këlliçi eliminon...

“Mos besoni përralla me rekurs”, Bardhi fton demokratët të bashkohen, Këlliçi eliminon Bashën e Alibeajn

Pasi morën vulën dhe logon e Partisë Demokratike, përfaqësuesit më të lartë të saj kanë nisur turin e takimeve me qytetarët. Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi dhe ish-deputeti Belind Këlliçi ishin këtë të shtunë në Përmet, ku dërguan mesazhe bashkimi për demokratët, pavarësisht se me qëndrime të ndryshme.

Gazment Bardhi teksa bëri një rezyme të 11 viteve të vështira të PD-së në opozitë, u ndal edhe te odiseja 3-vjeçare e përplasjeve të brendshme, duke kërkuar që bashkë me vulën të nisë edhe forcimi i aksionit opozitar në terren.

Ai po ashtu dërgoi një mesazh të qartë për Lulzim Bashën se rruga që paralajmëroi mbrëmjen e djeshme, me rekurs në Gjykatën e Lartë për vulën, nuk do ta çojë asgjëkundi.

“Me kokën lart kemi disa muaj deçizivë përpara për të bërë realitet fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme. U mbyll problemi me vendimin për PD dhe mos besoni përrallat me rekurs. Duhet t’ia shpjegoni edhe demokratëve që nuk na janë bashkuar ende, janë demokratë dhe kanë bërë të njëjtat sakrifica si ju. Dera është e hapur dhe ata e kanë vendin këtu. Bashkë me çdo qytetar të ndershëm, sepse sot e vetmja shpresë që Shqipëria të ecë përpara është opozita dhe PD”, tha ai.

Por nëse Bardhi beson se të gjithë demokratët duhet të kthehen në shtëpi, Belind Këlliçi nuk ndan të njëjtin qëndrim. Nga i njëjti podium, ish-deputeti theksoi se Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn nuk i do në Partinë Demokratike.

“E rithemeluam dhe luftuam për një pluralizëm që është fituar me gjak në kushte të jashtëzakonshme. Sot beteja është me Ramën dhe shpurën e tij. Nga Përmeti, t’i shtrijmë dorën kujtdo që ka hatër mbetje dhe ka pasur divergjenca me ne, për t’u bërë bashkë. Nëse kemi një kundërshtar të përbashkët, duhet të jemi bashkë. Dyshen Alibasha nuk do të doja të vinin në PD, por këto janë qëndrimet e mia personale. Koha të mbyllin kapitullin dhe të vijojmë betejën”, tha ai.