Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Perëndimit të mos e nënvlerësojë Rusinë, edhe pse duket se në muajt e fundit, Ukraina ka arritur të rifitojë terren në luftë.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë në Oslo, ish-kryeministri norvegjez tha se Kievit i duheshin më shumë ushtarë, municione dhe armë. “Forcat ukrainase i kanë shkaktuar atyre ruse shumë humbje, por në të njëjtën kohë shohim se Rusia ka mobilizuar ushtarë të tjerë, rreth 200 mijë, dhe ka treguar se i përballon humbjet. Nuk kemi asnjë të dhënë që Putin ka ndryshuar planet dhe objektivat e tij në Ukrainë. Kështu që është e rrezikshme të nënvlerësosh Rusinë”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg tha gjithashtu se Perëndimi duhet të investojë për sa i përket sigurisë. “Na duhen më shumë ushtarë, më shumë të trajnuar, më shumë pajisje dhe armatime, të gjitha këto kushtojnë para”.
Shefi i NATO-s tha gjithashtu se Perëndimi nuk duhet të përsërisë gabimet që bëri me Rusinë, edhe me regjime të tjera autoritare, si Kina. “Nuk mund të bëhemi të varur nga prodhimet e tyre, që na bëjnë vulnerabël. Duhet ta parandalojmë eksportimin e teknologjisë drejt tyre, që më pas ata e përdorin për të na kërcënuar. Duhet të forcojmë kontrollin e infrastrukturës sonë, nga portet, aeroportet e deri te rrjetet 5G”, tha Stoltenberg. “Nuk po them që nuk duhet të bëjmë tregti me Kinën, por ajo që është e rëndësishme është se duhet ta bëjmë në një mënyrë që të mos minojë sigurinë tonë”.