Nga Dritan Hila
Sot të gjithë qanë Petrit Rukën. Madje edhe ministrja e kulturës me një status kishte kujtuar herën e fundit kur e kishte takuar dhe kishte folur për poezinë. Nuk e kishte pyetur për gjëra tokësore se ku punonte, si ia bënte për të shtyrë muajin apo paguar ilaçet, por kishte folur për poezinë! Nuk i kishte thënë për shembull pse faqja zyrtare e ministrisë që ka jetëshkrime llullabërësish, sahatçinjsh madje edhe të punëtorit që mirëmban çadrën e cirkut, nuk ka një shkrim për poetët dhe shkrimtarët shqiptarë.
Jo, ministrja kishte folur për poezinë me Petritin. Se Elva e ka mendjen tek poezia dhe nuk u kujtua që Petriti që nga viti 2005 ishte i papunë. Kur ishte vetëm 51 vjeç Petrit Rukën e lanë rrugëve dhe pa një fond nga kryeministria, nuk do kishte para as për kimioterapinë. Nuk u gjet një punë për Petritin e as për Moikomin në morinë e vendeve që mjelin shtetin gjithfarë të paemër.
Mbretërit e Francës, Britanisë, Prusisë, perandorët e Rusisë, shkëlqyen se në oborret e tyre rronin poetë, filozofë, arkitektë e piktorë. Kurse në kohët moderne politikanët e kanë hallin si të ndajnë tenderat dhe poetëve ju mësojnë emrin vetëm kur vdesin.
Ndaj të vetmit lot të sinqertë për ikjen e Petrit Rukës janë ato të miqve dhe lexuesve të tij. Të tjerët le t’ia kursejnë vetes strapacën e të shkruarit./dritare.net