Të vjen para syve, që në pikë të mëngjesit, një lajm si ky i helmimit të 11 vajzave dhe grave, punëtore në një fabrikë këpucësh në fshatin Bubq të Fushë- Krujës, si për ta përplasur edhe njëherë, pamëshirë, një nga problemet më të mëdha: mungesën e sigurisë në vendet e punës.
Shëndeti i vajzave dhe grave është vënë në rrezik nga substancat tretëse, që përdorka fabrika. Ato janë dërguar me urgjencë në spital sot në mëngjes.
Me po kaq urgjencë, specialistët e fushës dhe autoritetet vendore duhet të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin para përgjegjësisë personat përgjegjës.
Uroj që të shërohen sa më parë por pavarësisht kësaj helmi që i preku ndërsa ato punonin kokëulura për të kapur normën e ditës, s’duhet t’u dalë edhe aq lehtë njerëzve përgjegjës për çfarë ndodhi sot e rrezikon të përsëritet kudo ku mbizotëron makutëria e papërgjegjshmëria në rrobaqepsi, fabrika këpucësh apo sektorë të tjerë të biznesit fason dhe jo vetëm.
Strukturat shtetërore bëjnë mirë ta lënë për një moment mënjanë fushatën elektorale dhe nisur edhe nga ky rast, të analizojnë të gjitha mundësitë që ofron ligji për t’u ofruar mbrojtje dhe kushte normale në ambientet e punës për të gjitha gratë dhe vajzat që punojnë në to.
Kryeministri dhe gjithë banda e tij elektorale bëjnë mirë t’i lënë për një moment mënjanë premtimet e gënjeshtrat e mëdha, e sidomos ato lavdet e lajkat për gra e vajza të bukura, sepse më shumë se për këtë steriotip ato kanë nevojë për punë, shendet e siguri. Dhe shëndetin, në fakt, më shumë se për veten, gratë e duan për fëmijët e familjen, tek e cila kthehen gjithmonë për të shërbyer, sado të sfilitura qofshin.
Gratë ndjehen vetë të bukura kur kanë gjithçka u duhet të kenë. Veç helmin s’ia kanë borxh makutërve të biznesit a pushtetit.