Në një histori të publikuar nga “Reuters”, është dëshmuar se si stafi i një prej spitaleve që po përballon krizën e koronavirusit në Meksikë, është kthyer në vatrën e epidemisë, pasi infermierëve iu është dhënë urdhër gjatë muajit mars që të mos mbajnë maskë mbrojtëse, sepse shkaktojnë panik te pacientët.
Historia e pabesueshme është dëshmuar në “Reuters” nga anëtarë të stafit dhe drejtues të institucioneve të larta shëndetësore në Meksikë, dhe ka rezultuar me 51 mjekë dhe infermierë të konfirmuar me Covid dhe 300 anëtarë të tjerë të stafit që janë dërguar në shtëpi dhe janë shkëputur nga puna, sepse kishin simptoma.
Infermierët në një spital publik të goditur nga shpërthimi më i keq i koronavirusit në Meksikë nuk janë lejuar nga menaxherët e tyre që të mbanin maskat mbrojtëse në fillim të epidemisë, për të shmangur panikun mes pacientëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë mjekësorë.
Dy mjekë dhe një administrator i spitalit kanë vdekur dhe të paktën 51 anëtarë të stafit janë infektuar që kur koronavirusi i ri u zbulua në Spitalin e Përgjithshëm IMSS në Monclova në shtetin verior të Coahuila në fund të marsit, tha departamenti shëndetësor i shtetit.
Spitali u bë vatra e parë e nxehtë e Meksikës për sëmundjen COVID-19 të shkaktuar nga koronavirusi.
Së paku katër prej punëtorëve të infektuar aktualisht janë shtruar në spital si rezultat i shpërthimit, i cili ka ushqyer shqetësime se sistemi i kujdesit shëndetësor të Meksikës nuk është i përgatitur të përballojë një epidemi të madhe në vendin e afro 130 milionë njerëzve.
Në fillim të shpërthimit, menaxherët “thanë që pajisjet mbrojtëse nuk ishin të nevojshme”, tha për “Reuters” infermierja Charly Escobedo Gonzalez që punon në spitalin Monclova.
Një zyrtar i lartë në shërbimin kryesor shëndetësor publik të Meksikës IMSS i cili drejton spitalin iu përgjigj “Reuters” që punonjësit e shëndetit duhet të besohen, por ai nuk konfirmoi detaje të raporteve.
“Nëse ata janë duke e thënë, natyrisht, ne duhet ta besojmë këtë”, tha zyrtari i IMSS, Raul Pena Viveros. Ai shtoi se brenda një spitali mund të ketë keqkuptime se ku është e përshtatshme të mbahen pajisjet mbrojtëse.
“Jo të gjithë punëtorët duhet të mbajnë të njëjtën pajisje brenda spitalit. Dhe kur kjo lloj pajisje përdoret keq … ajo mbaron më shpejt dhe ata i vë në rrezik punëtorët që janë në kontakt me pacientët”, tha ai.
Meksika ka regjistruar 4,661 persona me koronavirus dhe 296 vdekje, me koronavirusin e mbërritur disa javë më vonë se në SHBA, në vendin e Amerikës Latine.
Spitali Monclova u bë një pikë qendrore e koronavirusit në javën e tretë të marsit, duke theksuar mungesën e maskave dhe madje edhe sapunit dhe dezinfektuesve atje, sipas stafit.
Ndërsa stafi filloi të sëmuret, menaxherët e spitalit udhëzuan punonjësit e kujdesit shëndetësor që të mos përdorin maska fytyre, të cilat disa kishin blerë vetë për shkak të mungesës së pajisjeve spitalore, i thanë shtatë punëtorë “Reuters”.
Pena Viveros tha se spitali kishte mungesë të pajisjeve mbrojtëse, si dhe materiale të tjera për të luftuar koronavirusin, në mars.
Zyrtarët shëndetësorë nuk kanë dhënë një sqarim të hollësishëm se pse u infektuan kaq shumë punonjës të kujdesit shëndetësor në Monclova.
Punonjësit e spitalit janë në rrezik më të madh të kontraktimit të koronavirusit nëse nuk mbajnë pajisje mbrojtëse si maska dhe doreza. Maska respiratore N95 ofrojnë më shumë mbrojtje nga njerëzit e tjerë që janë të infektuar ndërsa maska më të thjeshta kirurgjikale ndihmojnë përdoruesin të shmangë përhapjen e virusit.
Për shkak të mungesës së maskave të duhura N95, disa nga stafi në spital kishin edhe maskë të papërshtatshme të stilit industrial që u ishin dhuruar, tha Pena Viveros.
Mungesa e maskave N95 u zgjidh më vonë, tha Pena Viveros, që u dërgua nga kreu i IMSS nga Mexico City për të hetuar spitalin Monclova dhe kaloi një javë atje në fillim të prillit. Stafi thotë se spitali ka më shumë pajisje mbrojtëse tani, por që atyre u mungojnë ende pajisje siç janë maskat.
Tre infermierë thanë që ndërsa disa kolegë zgjodhën të mos mbanin maska pasi iu tha nga menaxherët ose mbikëqyrësit se nuk ishin të nevojshme, një pjesë stafi vazhduan t’i mbanim ato.
Jo “panik”
Natën e 22 marsit, një nga krerët e stafit të infermierëve u tha një grupi mjekësh dhe infermierësh të mbledhur në dhomën e urgjencës që të hiqnin maskat e tyre N95, sepse ato nuk ishin të nevojshme, sipas një infermiereje që dëgjoi urdhrin.
Një infermiere tjetër, me mbiemrin Hernandez Perez, kishte marrë një urdhër të ngjashëm nga një nënkryetar i infermierisë disa ditë më parë.
“Në një klasë klinike në mëngjes, nëndrejtori na tha të mos krijojmë panik … që nuk duhet të mbajmë msaka mbrojtëse sepse do të krijonim një psikozë”, tha Hernandez Perez. Ajo tani është në shtëpi e sëmurë dhe u testua pozitive për COVID-19. Një infermiere e dytë e konfirmoi hostorinë e Hernandez Perez.
“Reuters” nuk kishte mundur të kontaktonte me dy nga menaxherët e infermierisë, të përmendur nga infermieret.
Pas akuzave të mediave që spitalit Monclova i mungonin pajisje për t’u marrë me virusin, kreu i IMSS, Zoe Robledo, njoftoi në fillim të prillit se drejtori i spitalit ishte zëvendësuar përkohësisht.
As menaxheri i pezulluar i spitalit, Ulises Mendoza, dhe as drejtori aktual i spitalit nuk iu përgjigjën kërkesave të përsëritura nga “Reuters” për koment.
Një infermiere, e cila kërkoi që emri i saj të mos përdoret nga frika e hakmarrjes, tha se gjatë gjysmës së dytë të marsit asaj iu është thënë vazhdimisht nga eprorët që të mos mbajnë një maskë fytyre ndërsa punonin në zona me rrezikshmëri të lartë, si në katin e parë të spitalit, ku ndodhet dhoma e urgjencës. Ashtu si edhe 51 rastet e konfirmuara, Pena Viveros tha se më shumë se 300 punëtorë të tjerë u dërguan përkohësisht në shtëpi pasi spitali u përpoq për të përmbajtur shpërthimin.
Ai tha se spitali kontraktoi infermierë dhe mjekë nga institucione të tjera për të adresuar mungesën e personelit, megjithatë aftësia e spitalit për t’u kujdesur për pacientët nuk është e plotë, sipas stafit.