Gazetari Spartak Koka ka zbardhur të tjera detaje nga dosja e SPAK për personat e arrestuar dy ditë më parë si pjesë e një bande kriminale.
I ftuar në emisionin ‘Opinion’, Koka tregoi, sipas dosjes së SPAK, një komunikim të Ervin Matës me një person tjetër për një sasi kokaine të trafikuar në Gjermani, që u kap në aeroport nga autoritetet doganore.
“Ervin Mata ka një rol organizatori në trafikimin e lëndëve narkotike ndërkombëtare, sipas SPAK. Ervin Mata dyshohet sipas SPAK që ka organizuar trafikimin e 250 kg kokainë nga Brazili në drejtim të Frankfurtit, Gjermani. Lidhur me këtë episod, evidentohet një bisedë më 29 Shtator 2020 ku ai flet me një shtetas dhe i thotë “vlla unë e shes me 35, Ramazani ma ka paguar 34. Ata mund ta duan dhe për Belgjikë, po unë shes me 35”. Po flasin për kilen e kokainë, 35 mijë Euro. “Tashi ç’a të them unë, ok, ishalla i ka në Shqipëri, do ta ul dhe një pikë, prit të dali malli se është në avion”.
Akoma nuk dihej nëse ka dalë apo jo malli. “Do dhe 2 orë”. Dhe më pas i shkruan: “Vlla mos më shkruaj se s’di ku kam kokën, m’u kapën 244 copë”.
Ervin Mata i shkruan një personi të paidentifikuar nga SPAK. Më pas i thotë “m’u kapën 244 copë, do lexosh në gazeta nesër, në Frankfurt”. Dhe më pas kemi një komunikim tjetër me një përdorues tjetër për të njëjtën sasi “plak, po ai i Frankfurtit ka ndonjë lek se më çmendën këta të daljes”. Mesa duket kuptohet për ata persona që do ta garantonin nxjerrjen e lëndës narkotike nga aeroporti. “Ai i Frankfurtit mos i jap njeriu lekë”, i thotë, “përveç se kur të thuash ti. M’u kap komplet malli në Frankfurt nga dogana”.
Komunikimi është në shqip. Shtetasi Ervin Mata, sipas SPAK, komunikon me përdoruesin me iniciale D.P. i paidentifikuar, evidentohet të komunikojë dhe për shuma parash të cilat kërkohet t’i marrë në Shqipëri ku tregohet se disponon shuma parash në Holandë, për të cilat dyshohet se kanë burim aktivitetin e paligjshëm dhe ka një bisedë tjetër dhe i thotë: “Veç në Shqipëri i du lekët unë, t’i kaloj 1 milion në Holandë po të duash”. Pra, po flasin për 1 milion Euro. “Po më pret me ç’a të duash, të flas të kaloj lekët sot, mos e vrit mendjen”, u shpreh gazetari Spartak Koka.
Gjatë operacionit të SPAK-ut, të zhvilluar dy ditë më parë, ranë në prangat e policisë 4 persona, ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, Dedan Gjoni, Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Besmir Murati dhe Bujar (Ajazi) Germizi, emër i njohur i botës së krimit në Kukës. Masë “detyrim paraqitje” Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj Jonida Babametos, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.
Në kërkim janë: Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Germizi, Bajram Grabova dhe Ervin Mata.
Dyshohet se Ervin Mata dhe Eralbi Breçani ndodhen në vendet e Amerikës Latine.