Nga Miron Çako
Që nga protestat në dhjetorin e vitit 1991 deri tek ato të fundit në shkurt 2019, shqiptarët kanë protestuar duke aspiruar: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” por, me sa duket, rruga ku po ecim në këtë tranzicion të stërzgjatur, nuk po na drejton drejt Europës. Nuk e dimë se ku, por, për mirë, e sigurt se jo.
Shumë shqiptarë, duke mos parë dritë në fund të tunelit, të mbërthyer nga fryma pesimiste, mendojnë se “ky vend nuk bëhet më” dhe kështu vendosin edhe sot të ikin me nxitim në rrugët e kurbetit, si të huaj në dhe të huaj, larg Shqipërisë së vuajtur, që gjeografikisht gjendet në kërthizë të Europës.
Kur i shikon të gjitha këto që po vuan vendi, një pyetje del nga shpirti i trishtuar, që ngre të tjera pyetje për përgjigje: Përse ne shqiptarët nuk po bëjmë dot një shtet normal demokratik si gjithë Europa?
Mos ndoshta shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë një shtet?
Në botë, ne shqiptarët njihemi si individë me shumë aftësi, që kanë kontribuar në formimin e kombeve dhe shteteve të të tjerëve, por për vendin e tonë kemi dështuar të bëjnë një shtet demokratik, sepse kemi rënë në diktaturë ose në anarki.
Mos Shqipëria është një vend i mallkuar nga Zoti, prandaj ky vend nuk bëhet?
Në realitet, kjo nuk qëndron teologjikisht, sepse Zoti që është i drejtë nuk mallkon arbitrarisht një vend, individ apo komb, që nuk kanë faj. Realiteti i natyrës shqiptare, me klimë mesdhetare, me burime të shumta natyrore, me pozicion gjeografik të favorshëm, tregon të kundërtën, se Zoti nuk e ka mallkuar Shqipërinë, por e ka bekuar me të dyja duart.
Mos ndoshta shkaku i mallkimit që na ndjek si hije duhet gjetur te vetë shqiptarët?
Në përgjithësi shqiptarët nuk janë shumë serioz me Zotin dhe mund të themi se janë më pak fetar se popujt përreth. Një sondazh i vitit 2018, i bazuar në tri sondazhe WIN / Gallup International dhe i botuar te “Telegraph” i Britanisë së Madhe, tregoi se Shqipëria ishte vendi me më pak besimtarë në Ballkan, duke pasur një qëndrim “indiferent” ndaj fesë, me vetëm 39% njerëz fetarë. Kjo, në kontrast me Maqedoninë (88%), Kosovën (83%) dhe Rumaninë (77%); në Serbi, Kroaci, Greqi, shifrat tregonin 70-72%; në Bosnjë 65%, ndërsa në Bullgari 52% fetarë. (Wikipedia: Irreligion in Albania)
Pavarësisht vërtetësisë së statistikave, për shumë faktor të jashtëm dhe të brendshëm që mbas shekullit XVI kur Shqipëria u pushtua nga Perandoria Osmane, në pëgjithësi shqiptarët filluan jo vetëm të ndryshojnë fenë, por nga mungesa e dijes fetare u bënë thjesht ritualist në fe, më shumë supersticioz dhe kjo i çoi deri në ateizëm, që fjalë për fjalë do të thotë: pa Perëndi,pa Zot.
Ateizmi që u përhap në të gjithë Europën i ndikuar nga fryma sekulariste dhe nacionaliste e shekullit XVIII-XIX, gjeti terren edhe në shpirtrat e shqiptarëve, të cilët kërkonin të çliroheshin nga pushtimi shekullor dhe të ndërtonin një shtet me frymë laike dhe nacionaliste, ashtu si Vaso Pasha (1825-1892) ju bën thirrje shqiptarëve, në poemën: ”O Moj Shqipni”:
“Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji bes shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Kjo frymë laiciste dhe nacionaliste që ndikoi shumë në popujt e Europës, përsëri nuk mori ndikim absolut në shoqërinë dhe shtetet e tyre të reja, sepse besimi në Zot dhe institucioni fetar ishin të konsoliduara prej shekujsh dhe feja ishte faktor bashkues për popullin, ndërsa në Shqipëri fetë shfrytëzoheshin nga pushtuesi për ta mbajtur të përçarë popullin,kështu fryma laiciste edhe nacionaliste u përhap në ndërgjegjen popullore si faktor shtet-formues. Kjo prodhoj gradualisht një bindje ateiste veçanërisht mbas luftës Nacional Çlirimtare kur në vitin 1945 në pushtet erdhën komunistët-ateistë, të cilët sapo morën pushtetin filluan një luftë sistematike me komunitetet fetare. Komunistët-ateistë duke i akuzuar komunitetet fetare si përçarëse dhe bashkëpuntore me armiqtë e kombit dhe besimin në Zot si “opium për popullin,” arritën në vitin 1967 me slloganin “lufta kundër fesë dhe zakoneve prapanike” të shpallin me krenari eusforike se Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi shtet ateist në botë.
Ky është një fakt i padëgjuar në historinë e njerëzimit, sepse asnjë popull, në çdo kohë dhe në çdo vend, nuk e mohoi ekzistencën e një Perëndie, ashtu si Plutarku (46-120 psK) e ka përmbledhur universalitetin e fesë në çdo qytetërim, me fjalët: “Duke u endur nëpër të gjithë botën, mund të gjesh qytete pa mure, me njerëz analfabetë, pa mbretër, pa shtëpi, pa para, që nuk u nevojiten monedha, që nuk njohin teatro dhe palestra, por qytet pa tempuj dhe perëndi… askush nuk ka parë dhe as nuk do të shohë kurrë; por mendoj se një qytet mund të krijohet dhe të mbahet më lehtë pa truall, sesa po të hiqte kush plotësisht besimin te perënditë”.
Në urdhrin e fshehtë të shokut Enver Hoxha sekretarit të parë të PKSH, dërguar komiteteve të partisë në rrethe, thuhet: “Populli (shqipëtar) në përgjithësi nuk është fetar në atë kuptim që janë shumë popuj të tjerë, kjo është e vërtetë, por prapëseprapë diçka beson. Tani është çështja t’u prishim kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët mbledhin besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, për t’i zhdukur praktikat fetare, ne duhet t’i luftojmë ata sidomos me frymën racionale dhe patriotike”.
Enver Hoxha, me fjalimin e tij për ndasitë fetare, para Komitetit Qendror më 6 shkurt të vitit 1967, e drejtoi turmën e indoktrinuar nga ateizmi me kazma në duar drejt objekteve të kultit, ku 2169 objekte kulti, – prej të cilave, 740 xhami, 608 kisha dhe manastire orthodhokse, 157 katolike, 530 teqe dhe mekame, – u konfiskuan, u shkatërruan dhe u tjetërsuan në stalla, depo, shtëpi kulture, reparte ushtarake etj. Po ashtu, gjithë pasuritë e komuniteteve fetare, me dekret të Kuvendit popullor, Nr. 4263 të vitit 1967, kaluan në pronë shtetërore.
Pavarësisht arrogancës dhe fitores së shtetit ateist-komunist mbi fenë, sa u duk se sfidoi vetë Zotin, koha shumë shpejt vërtetoi se gjithë kjo marrëzi kolektive u bë një bumerang për vetë shtetin ateist shqiptar. Parrullat e komunistëve ateistë; se me socializmin, duke rrëmbyer pronat private, madje edhe të Zotit, populli shqiptar do të jetonte i lumtur, ndryshe nga popujt fqinjë që “vuanin” nga kapitalizmi, sepse respektonin si të shenjtë besimin në Zot dhe pronën private, dolën jo vetëm një mashtrim i madh, por një tragjedi kombëtare. Shqiptarët u katandisën si një nga popujt më të varfër të botës. Të toleruar nga regjimi ateist, pasi nuk kishte mundësi ekonomike ta ushqente popullin e varfëruar në ekstrem , shqiptarët e uritur u nisën me eksodin e parë nëpërmjet ambasdave në 1990 dhe ai masiv me anije në vitin 1991, që të mërgonin nëpër botën kapialiste, duke braktisur vendin e shkatërruar nga farsa e realizmit socialist.
Vërtetë pas viteve ’90 u la i lirë ushtrimi i fesë dhe shqiptarët filluan ta thërrasin me pendim Zotin nëpër gërmadhat e tempujve të prishur, por që atëherë edhe pse kanë kaluar 29 vjet, ne shqiptarët jemi akoma në gjyq me Zotin. Pendim në konteksin fetar, do të thotë jo vetëm keqardhje, por korrigjim aq sa është e mundur për atë që ke prishur, ose të kthesh pronën që e ke marrë padrejtësisht. Në këtë pikë ne shqiptarët jemi shumë mbrapa jo vetë me pronat e pronarëve të ligjshëm, por edhe kur bëhet fjalë për pronat e Zotit që duhet t’iu kthehen komuniteteve fetare. Ligji Nr. 7501 i vitit ‘91 për ndarjen e tokës bujqësore në Republikën e Shqipërisë, që ishte në konsensus me gjithë partitë politike të parlamentit pluralist, lejoi që pronat e komuniteteve fetare të ndaheshin midis popullit, duke vazhduar edhe në demokraci padrejtësinë ndaj pronës. Në vitin 2004, parlamenti miratoi një ligj të ri për kthimin dhe kompesimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Sipas këtij ligji, bashkësitë fetare kanë të njëjtat të drejta si dhe individët privatë në çështje që kanë penguar kthimin e pronave të konfiskuara. Por përsëri qeveritë që kanë pasur pushtetin në këto vite tranzicioni, pavarësisht nga ngjyra dhe emri, ende nuk kanë u kthyer të gjitha pronat komuniteteve fetare edhe pse ka marrëveshje mes shtetit dhe komuniteteve fetare që pronat, objektet e kultit, pasuritë, tokat, arat, livadhet etj duhet tu kthehen atyre.
Shumica e pronave padrejtësisht vazhdojnë të jenë pronë e shtetit, ose edhe e individëve që i shfrytëzojnë me ligjin e padrejtë të 7501 dhe me leje të përfituara abuzivisht nga njerëz të lidhur me pushtetin. Monumentet e Kulturës janë ende pronë e shtetit; pavarësisht se: psh Kisha Orthodhokse ka kontribuuar për restaurimin e 60 kishave e manastireve, ajo nuk ka një certifikatë pronësie për këto objekte, kështu shteti njihet pronar i ligjshëm i këtyre monumenteve, madje duke e quajtur veten pronar, bën ç’të dojë. Në këto monumente si kisha, manastire janë organizuar pa miratimin e KOASH-it aktivitete, që nuk i përshtaten shenjtërisë së vendit, deri në sakrilegje, si: sfilata modelesh, konkurse bukurie, koncerte etj. Po ashtu, pasuri të tjera të Kishës, si ikona, vepra arti, lipsane shenjtorësh etj, mbahen arbitrarisht pronë e shtetit. Madje edhe kur kapen hajdutët që kanë vjedhur pasuritë kishtare, Kisha nuk përfaqësohet në inventarizimin e objekteve dhe ato nuk i kthehen pronarit të ligjshëm KOASH-it, duke vazhduar kështu të njëjtat proçedura konfiskimi si në regjimin ateistë, për të mos përmendur edhe ndërhyrjet brutale që janë bërë në kohët e fundit ndaj objekteve të kultit.
Të gjitha këto veprime, herë të papërgjegjshme, herë shumë të përgjegjshme, tregojnë se, kur shtetarët tanë thonë se duan të krijojnë një shtet të së drejtës si gjithë Europa apo SHBA-ja, duket se kemi të bëjmë me një hipokrizi të madhe, sepse kur ata nuk kanë frikë të mbajnë, ose të tjetërsojnë pronën e Zotit, çfarë mund të bëhet me pronën e njerëzve?
SHBA që ne e nderojmë veçanërisht si faktor shtet formues të shqiptarëve dhe mbrojtëse për kombin tonë, e kanë ngritur shtetin e tyre demokratik duke u mbështetur në vlerat morale që i aspiron besimi në Zot. Shikoni se si shprehen ata burra që e themeluan edhe e drejtuan këtë vend:
“Është e pamundur të qeverisësh me drejtësi një komb pa Perëndinë dhe Biblën… vet, frymëzuesi edhe mbrojtësi i çdo demokracie në botë”. Presidenti i Parë i SHBA George Washington (1789-1797)
“Të drejtat e njeriut nuk vijnë nga bujaria e shtetit, por nga dora e Perëndisë.” Presidenti i 35 i SHBA John F. Kennedy (1961-1963)
“Pa Perëndinë, demokracia nuk mund dhe nuk do të qëndrojë gjatë”. Presidenti i 40 i SHBA Ronald Reagan (1981-1989)
“Ne kërkuam ndihmën e Perëndisë; dhe tani, në këtë përfundim të shkëlqyeshëm, në këtë triumf të mrekullueshëm të së mirës mbi të keqen, duhet ta falënderojmë Perëndinë“. Presidenti i 41 i SHBA George H. W. Bush (1989-1993)
Prandaj në qoftë se ne kemi dështuar deri më sot të bëjmë një shtet demokratik të së drejtës, nuk është se Zoti i ka mallkuar Shqiptarët, por ne na mallkuar padrejtësia që vjen nga pabesia e shtetarëve dhe kur ky mëkat mbështet nga populli edhe ndëshkimi është kolektiv. Fjalët që Zoti i tha Izraelit nëpërmjet profetit Moisi janë aktuale në çdo kohë, për çdo individ, familje dhe komb që janë nën qiell: “Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen; prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin…por në qoftë se zemra jote shikon gjetiu dhe ti nuk bindesh dhe e lë veten të biesh përmbys para perëndive të tjera dhe t’u shërbesh atyre, unë ju deklaroj sot që me siguri keni për t’u zhdukur” (Ligji i Përtërirë 30:1-20).
Në qoftë se duam të korrigjojmë veten, që bekimi i Zotit të zbresë i plotë mbi Shqipërinë, le të marrim shembull nga të gjitha vendet ish ateiste -komuniste, që edhe pse gabuan si ne, por jo aq sa ne, duke shkatërruar objektet e kultit dhe grabitur pronat e komuniteteve fetare, kur u çliruan nga diktaturat ateiste dhe fituan demokracinë, qeveritë e tyre u interesuan që sa më shpejt t’u kthenin pronat, veçanërisht komuniteteve fetare, madje duke ndërtuar me fondet e shtetit objektet e shkatërruara të kultit.
Fytyra e një kombi tregohet nga ata që janë në krye të shtetit, ashtu si thuhet: “Çdo popull ka qeverinë që meriton”, Joseph de Maistre (1753-1821).
Prandaj është përgjegjësia e elektoratit për votimin e tyre. Populli duhet të kuptoj, se politikanët që në egon dhe lakminë e tyre janë treguar të padrejtë me Zotin e Gjithëpushtetshëm, nuk do të jenë aspak të drejtë me njerëzit e dobët.
Në qoftë se ne si popull, nuk na bëhet vonë për nderin dhe pronën e Zotit, të mos mendojmë se Zoti do të na mbrojë kur të tillët të na e marrin edhe ne pronën,shtëpinë dhe nderin, ashtu si thuhet tek Fjalët e Urta: “Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.” (Fjalët e Urta 1:24-33).
Qeveritarëve që deklarojnë me mburrje se janë ateist, aq sa mund ta sfidojnë edhe Zotin, sepse besojnë tek vetja, sa mendojnë se janë zoti vetë, u shkojnë për shtat fjalët që Krishti u tha të pabesëve: “Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se Unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja” (Joani 8:23-24). Kurse të tjerëve që thonë se besojnë; dhe në fushatë elektorale bekojnë në emër të Zotit, por kur marrin pushtetin nuk i japin të drejtën Atij që i takon, ju thotë: “Përse më thërrisni, ‘Zot, Zot’ dhe nuk bëni atë që ju them?” (Luka 6:46).