Është luftë e hapur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Twitter, platforma sociale që kreu i Shtëpisë së Bardhë përdor si instrument të propagandës, armë kundër armiqve dhe megafon të njoftimeve të tij.
Kompania me bazë në San Francisko guxoi për herë të parë të korrigjojë presidentin amerikan, më saktë dy postime në të cilat paralajmëronte mbi rrezikun e manipulimit zgjedhor, pasi guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom dhe kolegë të tjerë të tij thanë se po vlerësojnë mundësinë e votimit me postë për shkak të koronavirusit.
Twitter shënjoi dy postimet me udhëzimin për të verifikuar faktet dhe një link ku shpjegon se deklaratat e manjatit të pasurive të patundshme janë të pabaza, sipas CNN, Washington Post dhe mediave të tjera. Një zëdhënës i Twitter tha se postimet e Trump mund të përmbanin informacione të gënjeshtërta mbi procesin e votimit, dhe kjo i shtyu të sinjalizonin përdoruesit.
I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit, që shfryu zemërimin e tij, por tek e njëjta platformë. “Twitter po ndërhyn në zgjedhjet presidenciale të 2020. Po thonë se deklarata ime mbi votimin me postë, që do të çojë në korrupsion e manipulim të zgjedhjeve nuk është korrekte, bazuar në verifikimin e fakteve nga “fake news” CNN dhe Washington Post. Twitter po shtyp fjalën e lirë dhe unë si president, nuk do ta lejoj”, shkruan presidenti amerikan në postimin e tij.
.@Twitter is now interfering in the 2020 Presidential Election. They are saying my statement on Mail-In Ballots, which will lead to massive corruption and fraud, is incorrect, based on fact-checking by Fake News CNN and the Amazon Washington Post….
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 26, 2020
Shuplaka e rrjetit social vjen orë pasi vetë kompania kishte refuzuar të fshinte postimin ku Trump i rikthehej teorisë konspirative, sipas të cilës ish deputeti dhe tani prezantuesi i MSNBC Joe Scarborough, kritik i zëshëm i tij, mund të kishte pasur një rol në vdekjen e ish-bashkëpunëtores së tij Lori Klausutis në vitin 2001.