Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi këtë të martë se është zbuluar se 50 avionë spiunë të NATO-s e dronë afrohen çdo javë pranë kufirit të Rusisë. Lavrov shtoi se NATO është duke grumbulluar një sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake në kufirin e Rusisë.
Deklaratat e Lavrov u bënë gjatë një konference për shtyp këtë të martë së bashke me homologun e tij brazilian. Ai theksoi se Moska nuk përjashton mundësinë e ndërmarrjes së manovrave ushtarake nga Ukraina.
“Putin është shprehur më parë se Rusia nuk ka nevojë për konflikte, por nëse Perëndimi nuk do ta ndalë Ukrainën, ne do të marrim hapat e nevojshme për sigurinë e vendit tonë”, u shpreh Lavrov, i cili shtoi se prej kohësh Perëndimi ka provokuar Ukrainën për të ndërmarrë akte kundër Rusisë.
Po këtë të martë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë se çdo sulm i saj ndaj Ukrainës, do të kishte pasoja të rënda. “Çdo veprim përshkallëzues do të shqetësonte Shtetet e Bashkuara, dhe çdo agresion i ri, do të shkaktonte pasoja të rënda”, tha Blinken në një konferencë për shtyp në Letoni, ku do të organizohet një ministerial i NATO-s pikërisht për kërcënimin rus. “Nuk mjafton thjesht të konfirmojmë përkushtimin ndaj NATO-s, por të riimagjinojmë aleancën në mënyrë që të mbrohemi ndaj kërcënimeve të shekulli XXI dhe të shfrytëzojmë mundësitë e shekullit XXI”, shtoi Blinken.
Ai është zyrtari më i fundit që paralajmëron Rusinë për të hequr dorë nga ndonjë sulm i mundshëm kundër Ukrainës. Moska ka rreshtuar qindra mijëra trupa dhe armatime të shumta në kufi me vendin fqinj, por thotë se thjesht po kryen stërvitje ushtarake.
Por vetë Ukraina, dhe disa agjenci perëndimore pretendojnë se pushtimi i Ukrainës është një kërcënim real. Që prej aneksimit të Krimesë, Rusia ka mbështetur lëvizjet separatiste në krahinat lindore të Ukrainës, me të cilat Kievi është në luftë prej 7 vitesh.