Rusia mohoi të kishte sulmuar Konsullatën shqiptare në Kharkiv, MEPJ: Pamjet flasin vetë, dënojmë përdorimin e lajmeve të rreme
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka dënuar përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
Në një reagim në Twitter, MEPJ thotë se pamjet e shembjes flasin vetë dhe ky shkatërrim i ambienteve dhe dokumenteve në arkiva është shkelje e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme”, thuhet në njoftimin Ministrisë së Jashtme.
1/1. #Albania condemns #Russia's use of #fakenews to deny the bombardment of the 🇦🇱 Honorary Consulate in #Kharkiv.
👉The images of demolition speak for themselves. pic.twitter.com/GpSQaEn9TT— Albanian MEFA 🇦🇱 (@AlbanianDiplo) March 17, 2022
Më herët, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, mohoi që trupat ruse të kenë goditur objekte të infrastrukturës civile, duke përfshirë edhe Konsullatën shqiptare në Kharkiv. Po ashtu në reagimin e Zakharovës, shpërndarë nga Ambasada ruse në Tiranë në platformën Telegram kërkohej informimi i vërtetë i publikut.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet gjoja të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkov. Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile. Ne kërkojmë informimin e vërtetë të publikut”, thuhej në reagim.