Bota Moska paralajmëron për një “konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak” me SHBA-në

Moska paralajmëron për një “konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak” me SHBA-në

Ambasadori i Moskës në Uashington, Anatoly Antonov ka paralajmëruar se ndërsa vendet perëndimore dërgojnë armë në Ukrainë, rrezikojnë t’i çojnë SHBA-në dhe Rusinë “në rrugën e konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak”.

Që nga fillimi i sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, vendet e NATO-s dhe aleatët e tyre janë përmbajtur nga përfshirja e drejtpërdrejtë ushtarake në konflikt, por kanë ofruar në mënyrë aktive mbështetje me Kievin me armë dhe municione.

Ambasadori rus në një intervistë për Neësëeek, tha se shtetet perëndimore duke vepruar kështu, janë “të përfshira drejtpërdrejt në ngjarjet aktuale” dhe po nxisin “gjakderdhje të mëtejshme”. Antonov i quajti këto veprime “të rrezikshme” dhe “provokative“.

“Ata mund të udhëheqin SHBA-në dhe Federatën Ruse në rrugën e konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak. Çdo furnizim me armë dhe pajisje ushtarake nga Perëndimi, i kryer nga autokolona transporti përmes territorit të Ukrainës, është një objektiv legjitim ushtarak për Forcat tona të Armatosura.”- deklaroi Antonov, citon RT.

Dy ditë më parë, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba, u kërkoi vendeve të NATO-s që të vazhdojnë t’i ofrojnë Kievit “armë, armë dhe armë“, duke shpjeguar se duke luftuar Rusinë, Ukraina jo vetëm po mbron veten, por edhe po forcon sigurinë e anëtarëve të bllokut.

Antonov tha gjithashtu se “një eksplorim ushtarak” i Ukrainës nga NATO filloi shumë kohë përpara fillimit të fushatës ruse në vendin fqinj. Sipas fjalëve të Antonov, Ukraina “u përmbyt me armatim perëndimor, ndërsa presidenti Vladimir Zelensky njoftoi planet e Kievit për të marrë armë bërthamore”.

Ambasadori me sa duket i referohej fjalimit të presidentit ukrainas Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Më 19 shkurt, pesë ditë para fillimit të sulmit të Rusisë, Zelensky vuri në dukje se në vitin 1994, Ukraina nënshkroi Memorandumin e Budapestit dhe hoqi dorë nga armët e saj bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë. Duke thënë se Ukraina tani nuk ka “as armë, as siguri“, ai sugjeroi se premtimi jo-bërthamor i Kievit mund të anulohet nëse vendi kërcënohet nga Rusia.

NATO ka refuzuar vazhdimisht të plotësojë kërkesën e Zelensky-t për të krijuar një “zonë të ndaluar fluturimi” mbi Ukrainë, duke shpjeguar se masa mund të çojë në konfrontim të hapur midis bllokut dhe Rusisë.

Antonov deklaroi se kushtet e Rusisë për “zgjidhjen e konfliktit” kanë mbetur të pandryshuara: Çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës, statusi zyrtar neutral dhe jo-bërthamor i Ukrainës, njohja e sovranitetit rus mbi Krimenë dhe pavarësia e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luganskut.